Press "Enter" to skip to content

Petro MARKO: Apologjia ime (jetës)

…Marrëzi, turp, turp dhe
mëkate
për jetën e tërbuar
se kur më ndal, o gjeneratë,
që vuan rrugës ndonjë natë,
më merr për të dënuar
dhe, me një zë që vret,
ngahera më pyet:
– Ku linde, o i ri?
– O jetë, linda në shkreti!
– Ku rron dhe ku vete,
në ç’dhera e në ç’dete?!
– Çudi! Ç’kërkon prej meje ti
dhe si, o jetë, pyet,
kurse në varfëri
më hodhe kur më gjete
të lindur nga skelete
pa dritë, pa liri?
– Njeri!
Nga vete, as më thua?
– S’e di! Jo, Nuk e di!
Po lermë, o jetë, ç’ke me mua?
– Dua ta di, po dua!
– Atëherë, jetë e krisur,
për mua mos pyet
se qysh në n’agim kam nisur
të shkel si skllav i shkretë
mbi gjurma shprese dritë…
– O mëkatar,
as falju ligjes sime,
bindu i çmendur ëndërrtar,
s’jeton me shqetësime…!
– Mu thell’ në brendësirë
ku ndjenja rron e lirë,
ku dhembja dhemb e prekur
nga ligja jote e fuqiplotë,
në gjirin tim si hekur,
si hekur e çelik,
qëllo, qëllo, o me kamxhik;
pa frik’ e pa mëshirë
e pa pendim,
se mu në thellësirë
të shpirtit, në një kënd,
lindi një shqetësim
që çeli varrin tënd…

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *