Shtëpia e letërsisë shqipe

, ,

Magjia e dritës

Fotografit shqiptaro – amerikan Gjon Mili
1.
Ai mësoi ta ndalte çastin pa e vrarë lëvizjen,
ta copëzonte kohën në grimca vezulluese.
Një valltare bëhej shumëfishim vetësh,
një dorë – lumë i bardhë,
një hap – alfabet yjor për vizione poetësh.
Kur nata mendonte se kish fituar mbi format,
ai ndizte një vijë drite dhe vizatonte frymëmarrjen.
Disa njerëz s’fotografojnë botën:
          u mësojnë syve
          si të shohin të padukshmen.
2.
Në laborator drita hynte si lëndë e parë
dhe dilte – kohë e përkulur.
Mbi tryeza: kabllo, lente, hije, vegla inxhinieri
dhe durimi i një alkimisti modern:
fije drite ari dhe argjendi
Sekondat hapeshin me pincë, lëvizja ndahej në feta drite,
errësira radhën priste: bashkëpunëtore besnike.
Blicet – insekte elektrike – përplaseshin pas mureve
duke kërkuar skeletin e çastit.
Ai s’përziente vetëm kimikate: përziente pyetje.
Sa peshon një lëvizje?
Sa zgjat një hap?
Sa dritë duhet
për të parë të padukshmen?
Laboratori, natë pas nate, ç’vend i çuditshëm
shkenca hiqte mantelin, rrinte pranë poezisë.
Bashkëbisedim blicësh!
3.
Blicet: vetëtima zbutur në pëllëmbën e njeriut.
Një krismë pa zë çan errësirën
Koha për një çast harron të ecë.
Mbeten pezull: krahu i valltares,
                         djersa e atletit,
                         pluhuri mbi këpucë,
                         fryma para se të bëhet fjalë….
Gjithçka vazhdon – por jo njësoj:
               Drita, kur mëson zanatin e vetëtimës,
               u lë sendeve një kujtesë të bardhë.
                           Shpesh drita fryhet si një brumë i ardhur.
4.
Mbase meditim i Gjon Milit:
Të lozësh me dritën në retinën e Pikasos —
si të hedhësh shkrepëse në një pyll simbolesh.
Syri i tij nuk sheh: copëzon, mbledh,
        rikthen në qarkullim
        format e humbura.
Një vijë drite kalon mbi bebëza
dhe demi zgjohet,
femra ndahet në kënde,
fytyra mban disa kohë njëherësh.
Ti luan me dritën.
Ai luan me lojën tënde.
Dhe retina – ajo shpellë e vogël rrufesh
mban për pak çaste
vizatimet që s’i durojnë muret.
Pastaj errësira
i merr sërish në pronësi,
si muzeu i parë i njerëzimit.
Negativi i një filmi.
5.
Në dritën e Gjon Milit
Pikaso nuk pozon: shndërrohet.
Një blic: dhe fytyra e tij
mbledh copat e një shekulli
si xhepa plot me forma.
Dora ngrihet. Ajri bëhet letër.
Një vijë drite te retina kërkon strehë.
Pikaso vizaton me zjarr të ftohtë,
Mili mbledh hirin e sekondave.
Mes tyre drita s’është ndriçim:
është bashkëpunëtore e tretë,
hyn pa trokitur në fotografi
dhe del si kujtesë.
Mbetet imazhi: një njeri që vizaton në errësirë
dhe një tjetër
i mëson errësirës si të kujtojë
shkrepësen e shpresës.
Errësira s’është mungesë drite.
Është alfabeti i saj i fshehtë.
Në fotot bardhë e zi
nata shkruan me bojë argjendi,
hijet bëhen gramatikë
dhe heshtja – kornizë.
         Një nudo drite zhvishet në striptizë!
6.
E zeza s’mbulon: ruan kodet.
Brenda saj flenë duar të papërfunduara,
rrugë që s’mbërrijnë askund,
sy që mbajnë ende
negativin e botës.
E bardha vjen më vonë si dëshmi.
mes tyre – zona gri
ku kujtesa negocion me harresën.
Fotografia bardhë e zi s’heq ngjyrat:
                u kërkon sendeve
                të flasin pa to.
Një shkrepëse shprese
dritëhije mes blicësh
2026
(Kjo poemth është shkëputur nga libri i ri i autorit, “Çdo mëngjes marr një gur shahu në xhep”)
 
Autori
Petraq Risto

Mund t’i kombinoni: Kadare poezi, prozë autorë të huaj, Ahmetaj dashuri.