Poema 20
Mundem me shkrue vargjet ma të trishta ket’ natë.
Me shkrue, për shembull: “Nata asht e shndritshme,
e dridhen yjet blu, prej së largti.”.
Era e natës endet në qiell dhe këndon.
Mundem me shkrue vargjet ma të trishta ket’ natë.
Unë e kam dashtë e ndojherë edhe ajo më ka dashtë.
Në net’ si kjo e kam pasë në krahët e mi.
E kam puthë shumë herë poshtë qiellit të pafund.
Ajo më ka dashtë, ndojherë edhe unë e doja.
Si mos me i dashtë sytë e saj të mëdhej e të ngultë.
Mundem me shkrue vargjet ma të trishta ket’ natë.
Me mendue që s’e kam. Me ndie që e kam humbë.
Me dëgjue natën e pafund, ma e pafund pa të.
Dhe vargu bjen në shpirt si vesa në lëndinë.
Ç’rëndësi ka që dashnia ime nuk kish mujtë me e rujtë.
Nata asht e shndritshme e ajo nuk asht me mue.
Kjo asht e gjitha. Prej së largu dikush këndon. Prej larg.
Shpirti im nuk ngushllohet me humbjen e saj.
Si për me e lypë shikimi im e kërkon.
Zemra ime e kërkon e ajo nuk asht me mue.
E njejta natë që ban me u zbardhë të njejtat pemë
Ne, ata të dikurit, tash nuk jemi të njejtit.
Tash nuk e due, asht e vërtetë, po sa e kam dashtë.
Zani im kërkonte erën për me prekë veshin e saj.
E tjetrit. Ka me qenë e tjetrit. Si ma parë e puthjeve të mia.
Zani i saj, kurmi i saj i njomë. Sytë e saj të pamatë.
Tash nuk e due, asht e vërtetë, por ndoshta e due.
Asht aq e shkurtë dashnia e aq e gjatë harresa.
Sepse në net si kjo e kam pasë në krahët e mi.
Shpirti im nuk ngushllohet me humbjen e saj.
Edhe sikur kjo të jetë dhimbja e fundit që ajo me shkakton,
dhe këto të jenë vargjet e fundit që unë ia shkruej.
E bukur
E bukur,
si në gurin e freskët
të burimit, uji
hap nji vorbull shpërthyese shkume,
ashtu asht buzëqeshja n’ftyrën tande,
bukuroshe.
E bukur,
me duer fine e kambë elegante
si nji kalë i artë,
që kaloron, lule e botës,
kështu t’shoh,
bukuroshe.
E bukur,
me nji fole t’kuqerremtë ngatërrue
n’kryet tand, nji fole
ngjyrë e mjaltës, e trishtë
ku zemra ime rreh e pushon,
bukuroshe.
E bukur,
nuk t’i zë sytë ftyra,
nuk t’i zë sytë toka.
Ka qytete, ka lumenj
n’sytë e tu
atdheu im asht n’sytë e tu,
unë eci nëpër ta,
ata i japin dritë botës
ku unë eci,
bukuroshe.
E bukur,
gjinjtë e tu janë si dy bukë t’bame
prej toke pjellore e hane ari,
bukuroshe.
E bukur,
fundshpina jote
e bani krahun tim si lumë që
kaloi mijra vjet nëpër kurmin tand t’amël,
bukuroshe.
E bukur,
nuk ka asgja si kofshët tua,
ndoshta toka ka
në ndonji vend t’fshehtë
formën e aromën e kurmit tand,
ndoshta në ndonji vend,
bukuroshe.
E bukur, e bukura ime,
zani yt, l’kura jote, thonjtë e tu.
e bukur, e bukura ime,
qenia jote, drita jote, hija jote,
e bukur,
e gjithë kjo asht e imja, e bukur,
e gjithë kjo asht e imja, e imja,
kur ecën apo pushon,
kur këndon apo flen,
kur vuen apo andrron,
gjithmonë,
kur je afër apo larg,
gjithmonë,
je e imja, e bukura ime,
gjithmonë.
Të due
Të due,
të due në nji mënyrë t’pashpjegueshme,
në nji formë t’parrëfyeshme,
në nji mënyrë kontradiktore.
Të due,
me gjendjet e mia shpirtnore që janë shumë,
e që ndryshojnë humorin vazhdimisht,
për ato që tashma i di,
koha, jeta, vdekja.
Të due…
me botën që nuk e kuptoj,
me njerëzit që nuk kuptojnë,
me dykahshmëninë e shpirtit tim,
me inkoherencën e akteve t’mia,
me fatalitetin e fatit,
me intrigën e dëshirës,
me dykuptueshmërinë e veprimeve.
Edhe kur t’them që nuk të due, të due,
edhe kur t’mashtroj, nuk t’mashtroj,
në thellësi po realizoj nji plan,
për me t’dashtë ma mirë.
Të due…
pa reflektue, pandërgjegjshmërisht,
papërgjegjshmërisht, spontanisht,
jovullnetarisht, nga instikti,
nga impulsi, irracionalisht.
Në fakt nuk kam argumente logjike,
as të improvizuem,
për të themelue kët’ dashni që ndjej për ty,
që leu misteriozisht prej asgjasë
që nuk ka zgjidhë magjikisht asgja,
e që mrekullisht, nga pak, me pak e asgja
ka përmirësue ma t’keqen time.
Të due,
të due me nji kurm që nuk mendon,
me nji zemër që nuk arsyeton,
me nji kokë që nuk organizon.
Të due,
pakuptueshmërisht,
pa pyetë veten se pse të due,
pa më interesue se pse të due,
pa dyshue te vetja se pse të due.
Të due,
thjesht sepse të due,
unë vetë nuk e di pse të due…
Përktheu nga spanjishtja: Manjola BRAHAJ

Manjola Brahaj (Tropojë, 1986) është profesoreshë universitare, poete, studiuese
dhe përkthyese. Ka doktoruar për letërsi në Universitetin e Tiranës dhe është profesoreshë e letërsisë në UBT, Prishtinë. Ka botuar katër libra me poezi dhe një studim monografik. Poezitë e saj janë përkthyer në disa gjuhë. Është vlerësuar me çmime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe është pjesë e antologjive të ndryshme të botuara në shqip dhe gjuhë të huaja.









