Press "Enter" to skip to content

N’fytin e atij huti – cikël poetik

Gërhet nata, fle…

Gërhet nata, fle,
si nji buallicë e zezë, e madhe,
e rame n’gjumë.

Hana asht e dëshpërueme,
pse s’asht hiç ma shumë se vetja,
po asht veç hanë.

N’majë pishe, nji hut,
gjaknxehtë e derdh,
gjakun e fisëm t’nji ylli t’vogël,
që i ka mbetun n’fyt.

Nuk ndigjohet gja,
nuk ndigjohet za,
përveç gërhitjes së natës,
piskamës së yllit,
dhe t’qames së detit,
që e rreh, e rreh veten,
te nji shkamb.

I tani shndrit,
i tani bahet dritë,
ai yll i vogël,
tuj u mundue
mos me e lanë shpirtin,
n’fytin e atij huti…
që jam unë…
që jam unë…
që jam unë, o Zot!…

I verbët, i verbët…

I verbët, i verbët,
por shoh do kuaj.
Do kuaj nate shoh,
do kuaj që hingëllojnë e janë
t’zinj si ky mendim.
Do kuaj bishtgjatë, bishtbardhë,
që vrapojnë e m’ngjajnë,
si kuajt e Saladinit –
nji mbreti t’hershëm arabie.
Do kuaj, që hanë, kullosin,
mish nate, yje.

Po, po. Nata jam unë.
Sytë e mi janë portat,
nga ku hyjnë e dalin
kuajt e natës…

Asht ba disi mizore kjo visore…

Asht ba disi mizore
kjo visore.
Drita zezon.
Dita ka nis me ba
nji lloj grimi
t’tmerrshëm, t’papamë.
Dita i lyen buzët,
fytyrën, sytë.
Ky lumë përpjetë rrjedh.
Ajo pemë buzë lumit,
kthye asht me rranjë drejt qiellit.
Nji zog leh, leh.
Nji lopë larane,
i ka vu t’zotit kërpesh,
e mban përdore,
e shpie me kullotë…

T’ka ardhë puna me qenë në hasmëni me ditët?

T’ka ardhë puna me qenë n’hasmëni me ditët?
T’ka ardhë puna me qenë n’hasmëni
me netët, gjumin?
Epo, m’ndigjo, m’ndigjo mirë!
As ditët, as netët nuk t’kanë faj.
Ti nuk ha, nuk pi, nuk fle,
nuk ndigjon, nuk shikon, nuk shijon!
Nuk e ngre kryet me pa drejt qiellit!
Nuk lakmon nji pemë, nji grue!
Ke harrue sa e mirë asht hana!

Sa kohë ka që nuk ke ndigjue,
si këndon nji zharzhalen?
Sa kohë ka që nuk ke ndigjue,
si pëshpëritë nata?
Sa kohë ka që nuk ke pa,
nuk ke prekë, nji xixëllonjë korriku?
Kur e ke ndigjue për herë t’fundit,
kangën e nji lumi?
Kur ke prekë, për herë t’fundit,
nji dorë grueje, nji dorë prindi,
nji dorë miku,
a nji dorë t’vogël e t’butë fëmije?

Ha, e pi, e prek, or mik!
Shiko, shijo, ndigjo!
Ndigjo muzikë, ha mish,
ha pemë, ha kokos!
Pi qumësht!
Pi edhe qumësht kokosi,
edhe qumësht réshë,
dhe besomë: ke me qenë… ma s’miri,
edhe me ditët, edhe me netët,
edhe me gjumin,
edhe…

Gjithçka asht ba ranë

Gjithçka asht ba
ranë,

ditët vijnë si zogj t’plagosun,
po ashtu netët,

njerëzia janë t’ftohtë,
ushqimet, uji, pijet,
pa fare shije,

gjithë ç’sheh syni,
asht shkreti e paanë,
asht kashtë e thame, ranë,

me pasë ndjenja,
gja e çuditshme asht,
gja qesharake,

mish për qen,
ba asht dashnia…

Ky qiell i lamë korriku

Ky qiell i lamë korriku,
se si m’asht varun, m’randon,
mbi supe, mbi shpinë.
Kaq i lodhun jam, kaq i shtrydhun,
kaq pa gjumë.

Mbramë nuk kam fjetë.
Mbramë kam dashunue, largas.
Mbramë kam dashunue
me shumë zjarr.
Mbramë kam shkrue, kam këndue,
për nji aliene t’bukur,
që e njeh, e flet, e këndon,
gjuhën e zogjve, gjuhën e yjve,
gjuhën e dritës;
sot mendoj për atë renë e vogël,
n’cep t’qiellit.

Njisoj t’largëta m’janë,
njisoj t’paarritshme,
njisoj t’paprekshme –
secila ma e bukur se tjetra –
por s’janë e njejta gja,
nji aliene e bukur dhe nji re:
nji aliene e bukur
asht si nji cigane e ndezun,
asht nji zjarr;
nji re asht nji fikje,
nji mendim…

Autori
Shazim Mehmeti