Press "Enter" to skip to content

Mirela Sula: Të kërkosh fat në një ditë ters

 

 

 

8.
Nuk i kam rënë ndonjëherë kësaj rruge.
Shpesh kam harkuar rreth saj, jam sorollatur,
kam bredhur e kam vuajtur pa faj.
Symbyllurazi kam ecur, rrëzuar jam sa herë,
gjakosur në gjunjë, shpërthyer në vaj.
Por kam duruar, jam ngritur
e kam ecur prapë pastaj.

Asnjëherë s’i rashë kësaj rruge,
s’kam dashur ta çaj.
Jam nisur e kthyer, s’di të satën herë.
Si mund të luash symbyllur kur drita s’ka skaj.

9.
Gjithmonë do të gjendet një njeri në udhëtimet e gjata.
Në mos, stacione malli në gjuhën tënde do të të presin diku.
Por ne, asnjëherë s’kemi kohë të flasim,
të pyesim njëri-tjetrin: nga je nisur, për ku?
Gjithëçfarë kemi s’mund të jetë veç e jona,
gjithëçfarë duam s’mund të jetë më shumë se një dëshirë,
që pret në pragun e ikjes kuturu.
Ne, njerëzit e ngjarjeve të sajuara,
mbetëm personazhe të dubluar në shirita
filmash të djegur,
pa patur shanse të rishihemi në ekranet e jetës
që na rri si fundi i shkurtër mbi gju.
Më kot luajmë me telekomandat moderne,
për të kërkuar valë të reja.
Plakja sa shpejt do të na përgjumë.

10.
Ajri prej të ftohtit na kapet për mëngësh,
strukur në palltot tona firmato
hukasim duart prej etheve
me ofshamën që pavetëdijshëm lëviz brenda nesh.
Tuta e të mos qenit,
ende mban në këmbë lodhjen tonë prej njeriu.
Hallakatemi me pritjen që na mund,
me bileta dhe qindarka të mbetura në fund të shpirtit
që asgjë s’e fsheh.
Si pa të keq njëri-tjetrin shtyjmë ndër stacione pa urbanë.
Shkoi edhe një tjetër pa fre….
Kruspullohemi cep-qosheve
gjithë turp e përbuzje
prej tjetrit që na sheh, prej vetes që s’i ngjajmë më.

Viktima që shihemi në sy
e ruajmë frymën nga vjedhësit
që jemi vetë ne.

11.
Shenja të kristalta shiu provokohen si përqafime të lagështa
në fytyrat tona pa jetë,
dritaret e syve përplasen për të na mbrojtur
prej rrufeve të rrëmujshme
në qiellin që qan mbi ne.
Njerëzit gulçojnë nxitimthi t’i shpëtojnë lagies,
të ruajnë zjarrin në të thatat frymëmarrje.

Diku dridhet një i moshuar, në një stol që pret
i lodhur udhës në kthimin e një dite si kjo.
Ulërin shiu në qytetin që hesht
ndaj të etshëm shuhemi në strehën më të afërt që gjejmë.
Unë qaj
të shpërlahem prej mykut që prej kohësh më shpërhapet
në lëkurën e mallit që më djeg.
Tani më shumë ndizet prej shiut
ngjitur më rri hijerëndë, nën vegime dhe kohë të largëta me diell.
Veç ngrehina të vjetra më bëjnë shoqëri tani
e iluzione që shkrihen në puthjet e të tjerëve, në gri.

Të gjithë nxitojnë të mbyllen
në shtëpitë e ngrohta, me të dashurit, diku pranë një zjarri,
mua asgjë s’më shtyn të nxitoj, askush s’më pret…
Atje…, më shumë ftohtë do të jetë.

I rëndë ky shi, mallin ma qullos.
Më kot pres të thahem në mungesën e thekur që më tret.

12.
Ja ku po kthehem prej një dite të kotë,
qesh me fatin tim të mbetur pas meje,
si një hije që s’mundi kurrë të bëhet një me mua.
Me shëmbëlltyra të panevojshme, mbërrij ngarkuar,
pa çehre, në vatrën time pa zjarr.
Është vonë. Të gjithë flenë. Si mëkatarë të pafajshëm
pas tundimeve të shuara.
Asnjë flok s’më ka lëvizur në stuhinë
që si pikëpyetje mistike më ka ndjekur.
Hëna në një qiell si ky është verbuar
ndaj çelësin mundimshëm e kërkoj
të rënë në ujëvarën e dhimbjes së sotme,
pa triumf.
Ja ku po kthehem te një derë e mbyllur,
që s’dua ta hap.
brenda asgjë s’më pret.
E akullt, ëndërroj si pula, t’i ngroh vezët e dhimbjes
në mallin që më rri nën sqetull.
Lëvozhga ëndrrash të vakta më zhvishen nga trupi.

Të bardha…
mbetën cullake në këtë natë të ftohtë tek më përkund.

Në këtë vorbull pengjesh,
po kthehem më mirë
të shoh çfarë më ka mbetur,
kur pas kam lënë ende faje të pabëra.
Nuk ka më kohë për t’u menduar?
E kam ndalur hovin e po pres të zbardhë agimi i parë
nën një çati të re,
po hedh rropullimën e fundit të valles së vjetër.
Jam ende në kohë për të mos u penduar.
13.
Gjithmonë është heshtje në dhomën time.
Unë mysafire e trembur e shtëpisë së ftohtë
kërcas gishtat për të bërë zhurmë.
I tregoj vetes historinë e princit që s’e njoha kurrë,

Nesër e shtunë…
Dita rëndomtë do të përplaset në shtëpinë pa kalendar
as orë në mur.
E lodhur argëtohem me zërin tim të çjerrur,
përtyp mendimet për t’mos ia thënë kujt,
brenda sa shumë mjegull!
Zhgarravis diellin e zbehtë si unë.

Fluturat e natës më fryjnë në gojë,
më përkëdhelin në buzë
me krahët e fishkur.
I përzë jashtë, i ndjek për t’i vrarë,
për t’u mbrojtur.

Si një insekt kam mbetur,
një flutur e ngrirë në mur.

14.

Gjithë ditën e ndoqa tersin sot,
derisa më solli në terrin e kësaj strehe që mban erën time.
E tradhtuar kthehem,
si pas një beteje të rënë me veten.
Një ditë e mbushur plot gabime.
Jam ende në këmbë.
Plagët i kuroj me vetminë që më pret krahëhapur.
Kam ftohtë.
Derën fort e përplas
që tersi të mbetet jashtë.
Nesër më me fat do të jem
Kur dielli në dritaren time të shohë.

Pages: 1 2

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *