Press "Enter" to skip to content

Më vranë (Poezi)

Më vranë

Më vranë në atdhe
ditën kur ika prej tij,
ëndrrën ma vodhën që në fëmijëri,
më braktisën,
përpara se ta lija me lot ndër sy.
Këtu or mik nuk bëhet!
Tek ecja, pasaportën të vulosja,
polici në ballë ma mori shënjestrën,
tri herë më qëlloi mbi krye, fort.
Më vranë, qëkur djalosh bridhja,
me poezitë e para në dorë,
fletë të shtypura me makinë shkrimi,
derë më derë, si njeriu që kërkon të ardhmen,
por s’e gjen askund. Kisha aty,
ëndrra të shkruara me fjalë,
në të largëtin vit, tetëdhjetë e nëntë.
Më vranë pak nga pak,
duke bredhur si qen pa zot udhëve të botës;
brengën e stërgjyshërve bartja mbi supe,
ç’thes mëkati – plumb.
Murg i vetvetes,
hëngra nostalgjitë e mia,
duke përtypur
helm dhe hithra djegëse, gërricur në fyt.
Askush nuk më ofroi një ëndërr:
si qen të egërsuar me sytë dritë-djalli,
ku dilte copa e majme,
aty i ngulnin thonjtë çakejtë,
derisa ngjeshur me dhjamë merrnin diell
mbi shezllona turpi,
me gra seksi përreth,
indiferentë.
Armën ma drejtuan fare pa problem,
mua, birit të tyre: më vratë, mor maskarenj!
Me lotin e përtharë me kripën,
ngrirë në kokërdhokë,
ika larg.
Larg nga ky popull që nuk do as vetveten;
pluhur mjerimi migjenian.
Me vete mbart malin me dëshira të parealizuara,
rëndojnë si zhivë e ngrirë ëndrrat në stomak.
Në çantën e zezë të mërgimit,
Fletë-fletë gjeografia e dhimbjeve,
lule të thara herbaresh të vrara.
Ndaj, sa herë kthehem atje,
si ditën që ika, njëlloj,
në çaçkë të ballit më shënjestrojnë:
Je vrarë, më thonë, kurrkund nuk rezulton,
kot bën sikur rënkon!

 

Mos ik

Mos ik nga ky shtrat i butë aromash,
humor i ndezur zjarresh në mërgim,
ku lumturia lind aq egër.
Mos ik.

Mos u ngri nga kjo marrëveshje e heshtur
trupash të shtrirë. Mos e largo dorën
perëndeshë drite, as buzët e tua të gjalla,
që e njohën ulërimën. Mos ik.

Rri në këtë përzierje gjymtyrësh
frymë-shpejtë si era e turbullt. Mos ik.
Se do ta marrësh diellin me vete
dhe nata do bjerë sërish mbi mua.

Mos ik akoma. Pa ty jam shtrat lumi i përtharë,
prej meje ikin zogjtë, bie nata menjëherë,
mos ik. Për këtë bukë, për këtë dritë, për këtë ujë,
rri akoma. Mos e lër dritën të shuhet përjetësisht.
Rri akoma, shkapërderdhur mes meje dhe teje,
aty ku lind shkëndija, aty lind edhe jeta.

Rri akoma si pjesë e imja, e dashur,
më e mira pjesë e vetvetes. Rri, ashtu
humbur në praninë tënde, me gjymtyrët e lodhura
mbështjellë nga errësira plot dritë.

Autori
Artur Spanjolli