Press "Enter" to skip to content

Mimoza AHMETI: Armiku im

Armiku im,
shpeshherë më fyeve në mënyrën më të dobët,
shpeshherë të fyeva në mënyrën më të cekët,
armiku im.
E ç’do të ish jeta ime pa ty
dhe e jotja pa mua?
Askush s’mund ta dijë.
(kur kushtëzimi mbaron
qenia zhduket)
Armik. Armiku im.
Prej teje rashë në gjurmë dhe përfitim
të asaj që kërkoja,
prej teje gjallëroji jeta ime, u zgjua,
u përbetua,
dhe ngashëreu,
kur vrasja shpirtat ngërtheu.
Oh, në të vërtetë ti je dashuria
dhe urrejtja ime,
armiku im.
Pikërisht ato,
që ne zhvleftësuam
ndërsa rrugës ecëm,
që asnjëherë s’i ditëm,
s’i llogaritëm,
TURMAT,
që inerte derdhën
dhe frymë marrin
me injorim,
lanë pasojë
mbi shpirtin tënd
mbi shpirtin tim.

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *