Dera u hap përgjysmë dhe unë hyra brenda me frikë. Ai më tërhoqi deri në mes të korridorit dhe më dha një puthje të shpejtë. Nuk arrita as ta shijoj dhe as ta kuptoj në ishte një puthje mirëseardhjeje, sa për të shkuar radhën, apo pasioni. Aq e shpejtë ishte dhe aq e frikësuar isha unë! Puthjen në intimitet me të kishte kohë që e prisja, e kisha menduar gjatë, por ajo pak i ngjasoi vizatimit që i kisha bërë në mendjen time. Më hoqi pallton dhe më rrëmbeu çantën nga dora, si të më rrëmbente një pjesë të frikës. Ngërçi i palëvizjes po më kthehej në ngërç të fjalës dhe s’po mund të artikuloja dot as edhe një të vetme.




