Press "Enter" to skip to content

Jerida KULLA: Cikël poetik

Kush e ka radhën?

Agime të bardha përflakin muzgun.
Dita lëviz qerpikët,
hap terrin e natës.
Të përgjumur, ende pa larë sytë,
njerëzit rendin të kapin minutën.
Sekonda është e shtrenjtë.
Në këtë krizë globale
vihet në peshore,
muroset në pasuritë e patundshme…
Çelësi, puthja e bukuroshes së fjetur…
Gjen 1 sekondë buzëqeshje,
1 sekondë puthje,
1 sekondë dhembje,
1 sekondë lumturi,
1 sekondë jetë,
1 sekondë vdekje…
Në momentin e zbulesës
do të zihen
për trofenë e trimumfatorit.

Partiturë takimi

Melodi fjalësh në pikëlim të yjeve.
Rrokje
nën ritmin përkëdhelës të hënës.
Matur me tri të katërtat.
Një e katërta kohë heshtje… Pritje!
Ndrojtje!

Ujë i shenjtë

Dëgjo tingujt e zemrës,
do të ndiesh fluturimin e çeljes së lules.
Bleta do të mbledhë nektarin
e mjalti do shijohet nga buzët e zjarrta të dashurisë.
Mjaltë e zjarr!
Ujë shenjtërie në vena gjaku.
Dashuri në çdo qelizë.

Provim vjeshte

Malli më djeg.
Zjarrin nuk mund ta shuaj.
Dua ta gris kohën.
Ta hap faqen aty
ku biseda jonë mbeti në klasë.
Ç’fjalë e rrëzoi?
Ç’tingull nuk u dëgjua,
që paralajmëronte humbjen?
E inatosur jetë-mësuesja,
Nuk do e nuk do t’i japë mundësi tjetër,
as në provimet e vjeshtës.
Gjethet përkulen bindshëm
e gati i puthin këmbët,
që të ndryshojë mendim.
Mbyll sytë.
Dëgjoj zërin tënd.
Është era që zgjoi kujtimet.

23.03 A.M

Drapri i hënës korri ëndrrat e fundit.
Duaj i mblodhi.
Si gurë kilometrikë kashtën e kumtrit mati.
Pas dy ëndrrave, një stacion autobusi,
duke përkundur gjumin për në tjetrin stacion.
Fusha e korrur kërkon jetën,
të mbillet, të rritet me shpresën.
Gurët, jastëk për ëndrrat vajzërore.
Vesa e mëngjesit përthyen ylberin në shtatin lozonjar.
Zanë a hyjni?!

Në grusht më mbeti pesha e ajrit…

Të ndjek në heshtje
e heshtur vuaj.
Copëza kujtimesh zgjojnë dashurinë.
Një dashuri të zjarrtë, që të djeg e të ngrin,
që të çon në qiellin e shtatë
e të zbret në honet e zgafellet e errëta….
Në gëzimin tënd shkruhet lumturia jonë.
Firmë për kohën, për prerjet e stinëve.
Pemët shkruan alfabetin e mallit,
si dikur të parët në lëkurën e kafshëve.
Në damarët e gjetheve rrjedh limfa e jetës.
Gjithçkaja, shumë shpejt, bëhet asgjë.
mjafton një puhizë moskuptimi,
pa përmendur tufanin e fjalëve,
inatin zeuzian.
Mos thoni se e zmadhova.
Uragani i shpirtit është më i madh se i Zeusit
për zbulimin e të vërtetës nga Prometeu.
Në deltën e kujtimeve e me lupën e mikroskopit
kërkoj të zgjidh të fshehtën e enigmës.
Pse?
A ka më vlerë tani gjithçka-asgjëja?
Më duhet Edipi për ta zgjidhur.
Ndoshta Feb Apoloni mund të bënte diçka.
Shikoj ditën e fundit.
Zgjat dorën ta kap.
Ajo tretet.
Në grusht më mbeti pesha e ajrit…