Nëna
Ka filluar të plaket nëna,
fytyra e saj po mbulohet me rrudha,
po mbulohet me një pleqëri të bukur,
ç’është kjo rrjetë e bukur që hedh koha mbi nënën time?
Dhe duart që më mbanin tani janë rënduar,
po s’ka gjë.
Nga shpirti i saj zgjaten duar të tjera,
që më mbajnë pezull.
Ecën ngadalë nëpër dhomë,
nganjëherë më pyet për librat që po shkruaj,
por s’më ka pyetur kurrë,
pse s’kam shkruar asgjë për të.
Se nëna e di:
fjalën e parë në botë ia thashë asaj,
dhe fjalën e fundit në botë
asaj do t’ia them.
Testament
Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur i mallkuar me art.
Gjërat i shihja ndryshe:
Nëpër shirat e vdekur peshqit fluturonin drejt qiellit
e bënin çerdhe te yjet. Në vend të borës binin zogj në çdo dru.
Era si ketër brente degët.
Qante mbi mua nëna, shënmëria ime. Ave, nëna ime!
Mos e pastë njeri këtë fat!
Kam dashuruar një Afërditë në Olimpin e trëndafilave.
Pastaj erdhe ti tërë ikje.
Më vonë vije vetëm nëpër ëndrra, si perënditë ilire.
Kështu iku edhe rinia, filigrami i djalërisë,
i mallkuar me art.
Mos e pastë njeri këtë fat!
Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka
dhe të harrohem, se nuk dua që edhe pas vdekjes
të më ndjekë mallkimi i artit.
Mos e pastë njeri këtë fat!
Po kur të vdes portreti im ka për t‘u shfaqur nëpër gjethe,
se unë kam patur miqësi me çdo dru.
Në stinën kur bien gjethet
do të bien edhe sytë e mi.
Tani e tutje shirat do jenë lotët e mi.
Mos e pastë njeri këtë fat!
Dhembje
Ngjitet malli nëpër rrënjë dhe bëhet lule.
O druri i qershisë që të mbolli nëna ime,
unë jam vëllai yt!
Të dy me duart e saj na përkundi ajo:
Rritu, rritu, o biri im!
Rritu, rritu, o druri i qershisë!
Eh, nëna ime nga njëra klasë tek tjetra:
– Bir, janë zemëruar perënditë.
Sa mirë kur ishit të vegjël
dhe i faleshit tok Shën Mërisë.
Përkund era pikëllimin e luleve
a ndoshta duart e nënës vizatuar në erë.
Rritu, rritu druri i qershisë!
Unë s’kam për të lulëzuar më…
Kuajt e Marsit
Atje poshtë në luginë më presin kuajt e marsit,
nën një hënë që më do.
Pranvera çdo ditë gdhend në celulozë zërin tim,
mbështjellë egërsisht me thikat e gjetheve.
Isha nisur të vdes për këtë tokë të lashtë,
statujash të gërryera nga uria.
Kuajt e marsit do të hingëllinin mbi mua,
nën hënën e një nate të prerë përgjysmë.
O toka ime, nën një ajër tingëllonjës daullesh!
Në çdo gur është fshehur një statujë nëne.
Anës detit ilir, mitet, çdo natë,
dalin nga amforat me sytë plot lot.







Be First to Comment