(Një poemë me dymbëdhjetë stacione)
I. Këtu nis udhëtimi juaj, zonjë,
një kurbe lartësie në dritë e rëndesë,
një vene në puls e tëmth
një dege të kaltër në kujtesë.
Mendja juaj po çahet prej trupi
shpirti po shkon thellë në të,
trini në ecje, trini në një.
II. Në qelqin e dritares luhaten
ëndrra të linjta,
si një harresë e shkurtër në erë.
Oh jo, ky nuk është stacioni juaj, zonjë.
III. Durimi yt kaq i ri në këtë botë
pret përmbytjen e qytetit nga shiu,
ëndërr ujore së gjalli.
Ishuj që hyjnë ndërtesave të pambaruara.
Ky shi nuk është stacioni juaj, zonjë.
IV. Udhëtimi juaj trishtohet,
aty ku luftërat mbruhen njësoj
me të njëjtët armiq e të njëjtët heronj
aty ku bota nuk ndryshon e në fund
të gjithë do të kenë plagën e tyre.
Mos qani, shenjat tuaja janë të padukshme, zonjë.
V. Prej goje lule nuk po çelin ende
se zemra e atij burri shtyn zemrën tuaj
brinjë më brinjë, dhe ishujt po vijnë.
Si mundesh krahëhapur ta presësh
tani që dheu trandet këmbëve tuaja, zonjë?
VI. Kjo kabinë udhëtimi s’ju ka parë ndonjëherë,
por brenda saj po hyjnë
fluturat e kuqe të dëshirave të tua
dhe këto dallgë bojënjeriu sa trupi i tij.
Mbahuni fort, zonjë,
teksa gjithsej vdes e ngjallet në duart e tua të buta.
VII. Përshëndetje udhëtimit tuaj zonjë,
sunduar nga hëna e mbrojtur nga dielli
goja juaj ka aq shumë fotone
sa sytë shumëfishohen që t’i mbledhin.
Ky diell nuk është stacioni juaj, zonjë.
VIII. Ju gjendeni mbi kohën si fati,
e shkuara, e tashmja, e ardhmja
rrinë pezull lëndë pa formë orakujsh.
Si do ta predikoni këtë utopi
pa ditur stacionin tuaj, zonjë?
IX. Jemi kaq afër e kaq larg
sa nuk ndajmë dot kufij.
Si ta njohim jetën,
kur shpjegimi i saj fle me vdekjen?
Kjo ëndërr nuk është stacioni juaj, zonjë.
X. – Lërmë të udhëtoj brenda teje, psherëtij.
Jeta është stacioni juaj, zotëri.
– Lërmë të udhëtoj brenda teje, psherëtin.
Jeta është stacioni juaj, zonjë.
(Mos më zgjo, mos më zgjo.)
XI. Ju flisni për dashurinë, zonjë
si një vend ringjalljeje,
si një grusht fotonesh që ruan planetin,
po kurrë nuk do mund të ndaleni
në rënien tuaj të lirë.
Se ky, ky nuk është stacioni juaj, zonjë.
XII. Kështu tha.
Ky zë që ndan stacionet e mia në botë
në udhëtimin që nuk ia di mbarimin
në udhëtimin që do të më sjellë sërish
kësaj pike fillestare.
Mbahuni fort, jeta nuk e tregon asnjëherë
të papriturën e radhës, zonjë.
14 shkurt 2021
(Shkëputur nga “Revista Letrare-Pranverë”, në print)







