(Dhjetë poezi si një poemë)
I. Kësaj here dashuroj si një hënë,
por hënës vetë nuk kam gjë për t’i thënë.
E dua afër, me një dashuri të durueshme
pa udhë larg në qiell.
Nuk mbërrin hëna në hënë, por lëkura në lëkurë po.
II. E dua atë, e dua si një hënë.
Koka ime e plotë mund të bëhet gjysmë,
gjysma ime mund të gjysmohet gjithashtu.
E dua.
Trupi im i humbur nuk ka asnjë faj për këtë.
III. Dëshira bëhet një hënë që lahet me diell,
ndaj mishi im hënor kërkon dritën e tij.
Edhe unë dua të lahem me djersën e tij të ngrohtë.
Kryet e mi rri në qiell si një balonë e pafajshme.
IV. Hëna më sheh si shndërrohem
satelit brenda krahëve të atij burri.
Ajo qesh dhe unë qeshem.
Të dyja e dimë që jam një diell në grilë.
V. Edhe ai qesh.
Herë më puth hënë, herë më puth diell
dhe tokën ma çan me ujë e zjarr.
Mbetem më lakuriq se qielli kur ai qesh.
VI. Ndaj hëne bëjmë dashuri,
ia shpërbëjmë trupat njëri-tjetrit
dhe qeshim si vdesim të gjallë.
Përqafohemi me mirënjohje,
as vetë s’e kuptojmë sa të dashuruar jemi.
VII. Sekset tona shtyhen e tërhiqen
baticë-zbaticë në detin e harresës
kujtesë e gjallë në vdekje të vogla.
Jeta dhemb më pak kështu, por dashuria më shumë.
VIII. Shihemi.
Sytë e tij hyjnë brenda meje,
kujtesa e syve të mi futet brenda tij.
Bëhemi njerëz sërish.
Koha nuk ankohet më.
IX. Kujtesa ndez ijet
dhe dëshira lundron në trup
derisa kryqëzohet teposhtë në një pikë.
Surreale, vetëm pse është aq e thjeshtë.
X. Hëna mjafton
për gruan dhe burrin që krijojnë botën
trup e shpirt lakuriq.
Unë dhe ai mjaftojmë për dashurinë.







