Varret e mia! Mbledhur tufa-tufa, si lule të thara, ruajtur në kujtim të aromës që na bënte të ndiheshim mirë.
Varret e mia! Copa të grisura nga fotografia e një dasme që s’mundëm ta shijojmë se hatri na mbeti për vendin ku na ulën; ikëm papritur e pas na ndoqën veç pendimet.
Varret e mia! Kasaforta të pathyeshme të kujtimeve më të bukura që më bëjnë të qaj se s’i hap dot të nxjerr dashuritë që mbajnë brenda.
Varret e mia! Gurëzuar në porcelan, me buzëqeshje që më bëjnë të shkrehem në vaj; të shtrihem në tokën e butë e të lutem veç për një çast, një prekje, një përkëdhelje, një fjalë.
Varret e mia! Me emra që më ndjellin gaz e mjerim, mrekullim e dhimbje, ëndrra e tmerr. Baba i dashur, nëno e ëmbël, xhaxha, hallë, vëlla, shok…
Varret e mia mbajnë nën dhe, burgosur si titanët, heronjtë e mi; të lavdishëm e të ëmbël në vegime të hidhura që më bëjnë të qesh tek qaj e qaj, oh…, pse më s’i kam?
Varret e mia! Monumente të lutjes për një tjetër shans. Tempuj të një shprese të pashpirt, që premton veç dhimbje.
Varret e mia. Limani i anijes sime.
Përgatiti për botim Shqipto.com

Be First to Comment