Gazeta “Dielli” si Organi Zyrtar i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA mori rrugën për në çdo cep e në çdo skaj të mërgatës shqiptare, që jeton e vepron në USA dhe Kanada.
Ky është numri im i parë si Editor i gazetës “Dielli”.
U shpreh vlerësim të posaçëm, falënderim të përzemërt dhe mirënjohje të veçantë të gjithë bashkëpunëtorëve të këtij numri.
Jam i privilegjuar që bashkëpunojnë me “Diellin” penat më të shkëlqyera dhe më të arrira të botës shqiptare që nga “Zëri i Amerikës”, mediat potente në Tiranë e Prishtinë, akademikë, kërkues shkencorë në fakultete dhe njësi kërkimi, analistë e kritikë letrarë, diplomatë, personalitete të shkencës, ekspertë të ekonomisë dhe kibernetikës, veprimtarë, humanistë e patriotë që na mbushin zemrën me gëzim e shpirtin me hare prej sukseseve e veprave të mira.
“Dielli” i Vatrës, “Dielli” i kombit tonë, “Dielli” i shqiptarëve të Amerikës dhe Kanadasë do të mbërrijë së shpejti edhe në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës dhe Tiranës. Gazeta “Dielli” ka në fokus komunitetin shqiptar në USA, Kanada e kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarë, që me suksesin e tyre lartësojnë kombin tonë.
Gazeta “Dielli” ka në themel historinë, kulturën, gjuhësinë, albanologjinë, arkeologjinë, median, shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe figura të shquara të kombit shqiptar.
Qëllimi i gazetës është informimi i saktë, promovimi i talenteve dhe personaliteteve të botës shqiptare në mërgatë, ruajtja e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës dhe Kanadasë, gjithashtu të jetë si një urë lidhëse mes shqiptarëve të mërguar dhe Atdheut mëmë Shqipërisë, Kosovës dhe viseve shqipfolëse.
Faleminderit dhe mirënjohje për të gjithë ju që mbështesni gazetën më të vjetër të botës shqiptare, gazetën “Dielli” që nga 15 shkurti i vitit 1909!
Sokol Paja
Autori










