Press "Enter" to skip to content

Aroma e zërit tënd (Poezi)

Aroma e zërit tënd

Aroma e zërit tënd ende lodron nëpër dhomë,
pasqyra e shtratit mban ndezur sytë e tu,
aty ku ëndrra ime ul kokën mbi jastëk,
një fëmijë hap derën tash e parë e të kërkon
duke më zgjuar;
e gënjej dhe i them që s’je këtu.

Shpirtrat bëjnë paqe me të shkuarën, unë me të ardhmen,
një hënë e plotë vigjilon mbi qytet,
si prozhektori në oborrin e burgut;
një piano vibron nën dorën e njomë të një vajze
shumë larg prej këtu:
dritëhëne që bie mbi det.

Tash edhe në gjumë flas me ty. Të zgjoj padashje,
dua që t’i shohim bashkë ëndrrat e mia,
ku gjithçka vjen e ikën si e tashme
e pakryer;
kujtesa është një pemë flokësh me thinja.

Pastaj unë fle; e ulur afër meje,
në shtratin tim ku hëna krijon detin,
me librin e duarve të mia në pëllëmbë,
ti lexon ngadalë të ardhmen e vetes,

një gisht i njomë fëmije ndan në rrokje
heshtjen…

Etyd

Pemët rrëzojnë gjysmëhënat e vjeshtës,
në fije drite muzgjet qëndisen
me gjilpërën e imtë të vetmisë.
Po thinjen puset; në jermin e heshtjes
mbi horizonte prapë po shtrihen hardhitë…

Kështjella prej rëre merr era mbi brigje,
fantazma fëmijësh sjellin detin në kova
të kuqe, drejt e në buzët e ëndrrave tona;
mbi shpinën e krisur të shkëmbit përgjaket
një lulëkuqe
dhe stina s’ka moshë…

Edhe pak më duhet shpirt dhe do ia dal

ta harroj gjuhën, të folmen, këngën, fjalëzën, jehonën,
kur mbrëmja të ulet në teatrin e syve, në skenën
ku asgjë nuk ndodh dot
pa u ndezur llampëzat e lotëve…

Sonte

Në heshtjen e pafund të kësaj nate,
ti je veç një kujtim vetmie,
trokitje e trembur zogjsh përmbi dritare,
një grusht piklash në ajër, brymë
me shira dhe yj’ të lagur.

Një rënkim sysh…

Përnatë në orën pesë vdes nëna ime,
në drekë im atë mbyll sytë
dhe koha fle.
Jam gjithmonë këtu kur gjërat ndodhin,
në shtëpinë e kyçur me drynin e zërit.

Jam gjithmonë vetëm…

Ti vjen si vetëdija – dy krisma tingujsh,
prani e ndritshme e gjithçkaje të ikur,
pasqyrë me zë kujtese, ëndërr e frikur,
një urë në qiell si pyetje.

Ti vjen si perëndim’ mbi ishull:
në gjunjë ngjyrat shkruajnë harresën
mbi fletën e kaltër të stinës…

Autori
Alban Bala