Press "Enter" to skip to content

Ali PODRIMJA: Dashuria

Koha është të duhemi
të kesh besim në mua kur të them: Trime,
të kem besim në ty kur më thua: Trim.
Por kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite,
shumë e pushkët mbushi babai yt, fisi yt,
një mijë e një të zeza kurdise ku do ma zije pritën.
E nën kulm banonim,
nga frëngjia me dritë më peshove,
me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës,
se mos do të takoj të kroni i shpresave.
Ma ruaj syrin, dashuria ime,
ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari!
Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ,
kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët.
Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejmë këtë
ujë të madh,
i huaj s’jam, as vij nga tokë e vdekshme.
Në fund të livadhit të kositur a po sheh:
ai kali i bardhë është yni e tash përgjithmonë.
Më shikon drejt në sy, lëri zenkat, fjalët, sharjet,
Unë do të të sjell Lulen nga zemnra e Bjeshkës,
do ta ndez llambën në Kullë,
do ta hedh farën në tokën e re.
Kur të desha, çoja dashurie me një grua të marrë,
e mehalla jehonte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime, s’menduam pak edhe për vete,
Koha është të duhemi.

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *