Press "Enter" to skip to content

Këngë e verdhë zogu në mesnatë

Këngë e verdhë zogu në mesnatë

Nuk shihet,
nuk shihet aspak.
Veç dridhet nëpër ajrin e territ
si një ankth i brishtë.

Rreze hëne nuk ka.
A thua se dielli u harxhua papritur,
e hëna nuk pati më ç’të reflektonte.

Dridhet një ankth imcak
në trup të natës,
dridhet,
e një fashë drite e verdhë, e verdhë
hidhet saora nga një pemë në tjetrën.

Si mund të fluturojë drita kështu?

Nuk është dritë,
nuk është dritë,
por këngë e verdhe zogu,
si një diell i brishtë, i sapo ngjizur
për mua dhe për ty.

Një diellth i vogël
si foshnjë e brishtë
nëpër ajri!

Paqja buzë lumi

Për pak mëngjes mbi ujërat tona të shqetësuara të natës
Për pak mëngjes që ngjizet mbi lule, mbi fusha, mbi lumë
Ngadalë si dritë e kulmeve mbi drurë e strehëza
Derisa bebëzat e foshnjës dhe të plakut ngazëllehen njësoj

Pastaj vjen pamja, pamja mbi varka të vogla udhëtarësh
Dritë e bardhë, ngujuar në tulipanin e verdhë, shpërthen
Kur petalet hapen, hapen si qiejt mbi tokat e shkretuara

Tulipan i dielltë prej dritës, prej mëngjesit që kuptim i dha ngjyrës
Mahnit fëmijën që shtanget përmbys mbi të
Thith tingujt e dritës me çdo frymëmarrje të pezullt
Për t’u endur i lirë, i lirë, paqes së lumit.

Të jetë a të mos jetë kjo këngë?

Koka jote në duart e mia prej burri…
“Edhe kjo kohë”, Fatos Arapi

Tre lisa heshtin ndanë udhe në mesnatë.
Kënga e tyre e heshtur,
si rrëshira rrjedh nëpër shtatin tim
e ngjiz të tjera simfoni, të tjera heshtje.

Oh, koka ime nervoze në duart e tua prej burri!
Po si nuk më le njëherë në prag harresash dashuri?!
Ti je përherë aty, i kudogjendshëm.
Si koha, si ajri që rrethon këta lisa.

Oh, koka ime e menduar në pëllëmbët e tua prej burri
përshkon fytyrën time ende pa e vënë re
kalimtarin që sapo ndezi një elektrik dore.

Ndoshta askush s’i ka folur për rrëshirën,
për lisat që heshtin si pelegrinët netëve,
për ne të dy që i dimë të vërtetat,
por nuk bëzajmë.

Oh fytyra jote e dashur në pëllëmbët e mia prej gruaje!
Të mbështes kokën në kraharor,
e dëgjoj këngën e agut që të buçet nëpër shtat.

Ka gdhirë duke pritur, i bukuri im prej drite.
Ka gdhirë e këngët e padukshme të natës,
nuk gjenden më në asnjë udhë.

Gjenden veç lisa të lartë deri në qiej
dhe koka ime e lodhur
nëpër mendimet e tua…

Të jetë a të mos jetë kohë lisash, dashuri?
Të jetë a të mos jetë e jona kjo këngë?

Autori
Alisa Velaj

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *