Kinse për ne
Kinse për ty
flamingoja e fundit
shkundi pikëla drite
prej flatrave
në perëndim
mbartur në asht
prej agsholit
ua fali ujërave
Kinse për ty!
E gjoli u përflak
me një spërkatje të vetme
pikëlash ëndrre
tretur syprinës së tij
si copëza kënge
copëza kënge…
Është kaq bukur i dashur
sa me vjen për të qarë!
Ky ishull i heshtur
ku lëvrijnë peshq të argjendtë
kinse për ne
do të braktisë
çdo melodi lamtumire!
Kinse për ne…
Tri blatime për zgjimin
- 1 –
Nata
aromë lulesh
që më çelin
në buzë
e hapërdahet
petalesh
trupave tanë
Ç’ka përtej territ
të brendive
asnjë aromë
s’na e mësoi dot - 2 –
Dita
tretje e ngadaltë
mosdrite
syve të tu
të pustë
Shpërthehen ujërat
sa herë ngjyrat
çelin në prag
blatimi
Të hesht si zambak
buzëve të tua
sa dua - 3 –
Krahët rreth meje
në pikën e takimit
një pemë mbillet
nën ne
Mbi ne
gjurmët e fluturave
përkëdhelën psherëtimën
Një gjeth i ri
na veson frymëmarrjet
E kemi një borxh lënë peng dashurisë
Mes rrënojave të mia dhe të tua
meket këngë e zogut.
Zëra të ngjirur fluturakësh nëpër ajri.
Hej, ç’simfoni Zoti im!
Ç’simfoni…
Flatrat s’po mundet me ua pa askush.
Po zogjtë ndihen nga kënga, i menduari im,
njihen nga kënga…
E pse duhet flatrat patjetër me ua pa?
Dikur në sytë e tu vallëzonin flamingot,
purpuri e perëndimeve u endej nëpër krahë.
E prilltë qe dashuria, madje dhe natë e saj.
Zogjtë ishin mes nesh,
e ndiheshin nga kënga,
siç ndihet nga përtej aromë e lulenatës.
Mes rrënojave të mia dhe të tua,
endet një dashuri përherë e më e prilltë, i dliri im.
Frymën këngës nuk mundet t’ja marrë
një i verbër.
Oh, le t’i mahnisim bebëzat këtë mëngjes,
se e kemi një borxh lënë peng dashurisë.
E ka secili një borxh kur ngjiret zëri i zogut!







Be First to Comment