Valbona Sulçe Kolgeci është gazetare, studiuese e medias dhe komunikimit. “Shqipëria në avionin e Londrës – Rrëfenja të vogla” është libri i saj i dytë, pas atij të botuar në vitin 2015, “Shqipëria në pallat”. Ai përmban shkrime publicistike, si dhe një cikël poetik, prej të cilit kemi shkëputur disa nga poezitë më të hershme të autores.
Ballkoni plak
Askush s’ia di moshën e saktë.
Të gjithë e mbajnë mend kështu:
të pagojë,
të pakëmbë,
me sy të çmendur, ngjitur mbi rrugë.
Dhe gjithmonë vetëm.
Veç natën dëgjohet psherëtima e tij,
për vajzën brenda, që s’u bë kurrë Zhuljetë.
Tiranë, më 12.11.1996
E vrava një ditë edhe sot
E vrava një ditë edhe sot
E hodha në pirgun e ditëve – kufoma
Dhe qava.
Për ditët e mia të vdekura
Për ditët e mia të mira
Që s’më kishin faj
E sa herë vras një ditë
Më ndëshkon nata.
Nata që s’e dua
Nata që s’mbaron
Kur qaj për ditët e vrara.
E vrava një ditë edhe sot.
Jeta po më mbushet me natë.
9.6.1997
Një puthje fluturon nëpër natë
Një puthje fluturon nëpër natë,
xixëllonjat e ndjekin nga pas.
Dritë vetë puthja s’ka,
udhën të shohë.
E verbër,
me buzë prek qiellin,
kjo puthje jetime,
tek përplaset me hënën e ftohtë,
yjet, meteorët.
E hutuar endet mes engjëjve të habitur,
kjo puthje budallaqe.
Shpirtin buzëplasur do ta shkul,
t’i bëj dritë.
Vdekja të më vijë nga një puthje.
13.4 1998
Mall
Një dridhje buzësh
Një lot zemre është malli
Ky zog i bardhë që endet kaltërsive
Ky varg i thjeshtë e kjo këngë pafaj
Ky qiell e det pa anë e fund
Është malli
Ky dhe që pikon gjak
Kjo nënë tretur nga vitet
Ky shi që rigon
Malli është
Dhe nëse një ditë s’do më shihni
Në vendin tim
Mos u trembni
As mos më kërkoni
Jam shndërruar në mall
Vjeshtë në shpirtin tim
Pikojnë pemët e trishtimit
Qajnë për foletë e braktisura
Për zogjtë e dashurisë
Që në qiej të tjerë nisën shtegtimin
Ndarja më lë takim
Në çdo orë të ditës
E unë s’di ç’të bëj.
Pres dimrin.
26.5 1993











