Press "Enter" to skip to content

Zoti DO dhe Zonja RE (Poezi)

Zoti DO

E dinte Zoti DO,
se Zonja RE,
do të mbyllej në atë përrallë,
ku dashuria jeton,
në emër të të gjithë atyre,
që shekull pas shekulli,
vdiqën të rinj për dashurinë.

Një biletë treni
për të cilën Zonja RE,
mbajti radhën e Anave¹
pak para se
të binin kambanat.

Me copëra hënash le të dehemi,
se asnjë verë nuk na dehu kurrë.

Çarçafë pa një rrudhë
u shtruan në shtratin e mendjes,
për ëndrrën e tokës me pemë të lulëzuara,
që asgjësoi urrejtja jonë rinore,
e pashoq dhe e pastër,
në moçalin e bashkëkohësisë,
njeriu kundër njeriut,
ku pllakos një më dy
epidemia e luftërave,
besimi nxjerr zhuka.

Zonja RE sheh
kohëngrënësit e vjetër pa uri,
që presin të shfaqet në qiell,
Drita Krishtike dhe Toka e Re.

Nuk të pashë
në fjalët me shkronja gotike,
që flet si në jerm dhe pa ëndje,
portë shoh në tokën
ku si kokoçele e kaltër korriku
për përrallën e dashurisë
mbiva varfërisht,
drejt e në zemrën tënde.

Zoti DO e bën Zonjën RE, Zonja DO.

 

Zonja RE

E dinte Zonja RE,
se Dashuria është shkolla e shkollave,
si të mos e humbësh përjetësinë.

Në dashuritë e mëdha dhe të vogla,
gratë më shpesh dhe burrat ndonjëherë
mbiemërohen nga njëri-tjetri,
duke vënë kurorë në kishë,
a një vulë në zyrën e bashkisë
apo nga thashethemet urbane:
Ai dhe Ajo.

Gjithë frutat në nëntor
i ha me sy.
Stolis me to vendin ku rri.

Vjen Zoti DO,
merr në dorë
dhe lavdëron një kokërr frut.
Gjithë gëzimi i frutave të Mesdheut
në duart e tij.

I njeh ato duar Zonja RE,
që e kanë mbrojtur dashurinë
që në fillim të të gjithë kohërave.

Çdo fjalë që shënohet vend jete
janë puthja dhe gjumi në krahët e tij,
vendlindje, vendbanim, vendvdekje.

Për sa jetë Zoti DO dhe Zonja RE
bashkuan qerpik më qerpik
atë lot të rrallë të dashurisë,
perlën e shtatë deteve të Himarës,
lotin e lumturisë.
As për dashurinë më të thellë,

Zonja RE nuk e bën Zotin DO, Zoti RE.

———
¹Ana Karenina, L. Tolstoi.

(Risjellje nga vëllimi me poezi: “Zoti DO dhe Zonja RE”, Tiranë, 2000.)

Autori
Luljeta Dano