Press "Enter" to skip to content

Unë jam e vogla

Unë jam e vogla, e ardhur vonë
Si dënim, si fat, si shtrigë apo si zanë
Më pagëzove së prapthi
Më lave me ujin e mëkateve të të tjerave
Më kungove me thërrimet e stërmbetura të dashurive të së shkuarës
Mua, të voglës, që besoi në madhështinë tënde.

Unë jam e vogla, ajo që nuk deshi të luante
Jam e vogla, që tentoi të shkurtonte distancat
Kureshtarja, që dëshiroi të hynte në botën tënde të çudirave…

Jam e vogla që mbajte për dore
për t’i treguar përralla,
ajo që s’ia doli dot të të infektonte me virus dashurie.

Jam e vogla, lindja para perëndimit tënd
tundimi i ëmbël, që nuk ta dehu arsyetimin.
Jam e vogla, që s’kërkova gjëra të mëdha.

Jam e vogla, e mallkuar nga vitet e mia, të tuat
Jam e vogla, kapriçozja që s’e kuptove kurrë.
Ajo që dështoi me sukses të të vishte me rini.

Jam e vogla, ajo për të cilën s’shkruajte letra
Por shijove së lexuari, ato, elektroniket e saj.
Jam e vogla, ajo që para gjumit
të puthte pavetëdijen.

Jam e vogla, stacioni ku u ndale, për t’iu arratisur vetes.
Jam e vogla, e rritura para kohe…

Autori
Sheila Rexho