Ushtimë zjarri
Toka ime e shtrenjtë
Të kam gjak shpirti
Copë e ngjeshur ashti
Me Ty dertoj çdo përplasje jete
Më thuaj, pash besën
A do m’i ruash gjatë eshtrat e lodhura
Aty brenda palcës tënde plot zjarr?
Je ADN-ja flakëruese e qenies sime
Në flakë u rrita
Rrugës së zjarrit udhëtoj
Jam i ngrirë si akull
Dua të shkrihem në diell
Të ngrohem e mos të përvëlohem
Në dashurinë time të bërë tym…
Fol, fol
Pash gjakun e trupit e zemrën e plasur
Jorgani im arnuar durimeve
A do më mbash në gjirin tënd?
Se vuajtjet dertojnë rrugëtimet e gjata
Zharavë e pasosur kurrë, pesëqind vjet
E zemra do të pushojë e qetë
Bujtinave të magjepsura si në Olimp
Aty ku ngrohen shputat e mia të thërrmuara
Zbathur kërcej, të mbetur si eshtra të tretur
Rrahishtave e zjarrishtave
Gurishtave të derdhura si erozion i shkriftë
Si stenda zemre, kurorë kohe
Ku dëgjohen ushtimë hidhërimesh
Nëpër mote mashtruese…
Fol pash besën, toka ime e shtrenjtë
Që rrotullohesh si hi gacash nëpër shekuj
Gaz vajeve të mundimshme
Lot buzëqeshjeve të dhunshme
Jehonë e tretur largësive
Përvëlim damarëve deri në thellësi….
Taitje malli…
Ai gur oborri
Si i verbër më sheh përmes plasjeve
E qarjeve vijnë psherëtima vaji
Përjarget guri i ngulitur në dheun tim
Shurdhmemec i them kur nuk dëgjon
E ai ofshan e duron
E unë ia fshij djersët e rrudhave të thella
Do gjethe i ngjajnë lëmashkut
I shtresuar në fytyrën e brishtë
Gurnajës së mbetur peng malli
Si fëmijë rritur lagështisë së harruar
Dhimbshëm shihja kohën e varur bebëzave
Thinjat buzëqeshin sipër vetullave si kurorë
Shkopi dridhej në shuplakën e dorës
Plot rrudha
E koha…
Shiringat më nuk e gjejnë gjakun venave
Kohë e mbytur në lumë malli
Sa dënesë guri në këndin e kullës së rrënuar
O Zot kthema kohën
Se më vjen mall fletët e jetës t’i lexoj
Si fëmijë në klasën e parë
Jeta derë dy kapakësh qenka
Sa hyn nga njëra me vaje
Del nga tjetra me lemerisje….
Gjakovë
4-5 qershor, 2021







