Press "Enter" to skip to content

Natyra e gjithçkaje

Vashës së re

Pasqyra, libri, një gjilpërëz,
e pranë shtratit tënd, uji i bekuar,
gjumi lehtë të ka pushtuar,
oh, kjo dhoma jote, vashëz.

E sodis folezën tënde,
të dy, porsi atëherë,
me nënën ke të njëjtën çehre,
kur lotët i fshin me dhembje.

Ndoshta mendoni se vashëza ka vdekur?
Jo. Ditën kur zi për të mbajta,
askund arkivol s’kam ndeshur,
as flamur gozhduar te porta.

Natyra e gjithçkaje

Natyra thotë “Unë vetë arsyeja jam”,
e shurdhër bëhem para fjalëve të papeshuara,
dijeni se Gjithësinë, ta urrejmë a ta duam,
ajo fsheh thellë paktin me fatet e ekuilibruara.

Prej teje nuk pranoj as urim, as flijim,
njeri, mos fyej ligjet e një lutjeje,
mos prit nga dekretet e mia as hatër, as sqimë,
vendosi besimin tënd çdo arsyeje.

Përktheu: Mimoza Kuchly

René François Armand (Sully) Prudhomme, poet dhe eseist francez, është edhe fituesi i parë i çmimit “Nobel” në letërsi, në vitin 1901. Lindi në Paris më 16 mars 1839. Sully fillimisht studioi inxhinieri, por pasioni i tij ndryshoi me kohën. Kështu iu drejtua filozofisë dhe kohë më vonë do të kuptonte se dashuria e tij e vërtetë ishte poezia. Vdiq më 6 shtator të vitit 1907, në Châtenay-Malabry të Francës, në moshën 68-vjeçare.

Autori
Sully Prudhomme

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *