Zoti Olaf Swedberg, pronar i një kombinati të madh druri, është një burrë shtatlartë me një pamje përherë të gëzuar. Sëbashku me të shoqen, zonjën Xhein, një suedeze edhe ajo shtatlartë, gjejnë kënaqësi tepër të madhe sidomos në të papriturat, që u shkaktojnë të tjerëve. Janë disa lloje surprizash që i bëjnë jo vetëm për të dëfryer çupat e tyre të vogla, Keti, Mari, Helen dhe Greis, por edhe për njerëzit e tyre të afërm apo të ftuarit e shumtë, që disa herë në vit mbushin sallonin e madh të shtëpisë së tyre të bukur diku në periferinë e qytetit të Goteborgut.
Të mos harroj se zoti Swedberg është personi që, rishtar, më vuri të punoja në ndërmarrjen e tij të shitjes së drurit, ku qendrova disa vjet, derisa u sëmura. Më pas provoi të më bënte kopshtar, derisa u sëmura përsëri. Ndërkohë, nuk harronte të më ftonte në çdo festë që bënte familja e tij. Aq sa tani unë ndihem në gjirin e saj si njeri i tyre…
Por këtë vit, ndryshe nga herët e tjera, qysh në vigjiljen e festës së Krishtlindjes u duk se sekreti i çiftit Swedberg do të merrej vesh qysh më parë. Në rrethin e tyre, nën zë, bëhej fjalë për kukulla të ngrira. Thuhej se do të vinin prej vendesh të largëta. Dëgjoja të përmendej Tahiti, Hawai, Japonia, mbasi për europianët joshja prej këtyre femrave ekzotike ka qenë përherë e madhe. Jo më kot ato kanë përbërë gjithnjë një simbol të veçantë. Por çuditërisht, këtyre emrave dëgjoja t’u shtoheshin edhe ato të disa vendeve, që dikur gjendeshin pas Perdes së Hekurt: Kaukazi, Ukraina, Hungaria, Çeçenia, Mali i Zi… Për femrat e këtyre vendeve, disa gazeta e revista europiane, sidomos me rënien e Murit, kishin shkruar se e kishin humbur prej kohësh atë joshjen e magjinë e dikurëshme. Për ketë mund të kishte luajtur rol edhe mungesa për një kohë mjaft të gjatë e kozmetikës, e qumështit apo e vitaminave, që ndihmojnë aq shumë në bilancin e lëngjeve të fytyrës. Sa për produktet e stilit Camay, Garnier, Maybelline, Gemey, L’Oreal, Reckit & Colman apo Fresh Line, nuk mund të bëhej fjalë në Lindje.
E megjithatë, rreth këtij trilli të ri të zotit dhe zonjës Swedberg, të cilët gjatë gjithë kësaj kohe, ndaj çdo thashethemi që dëgjonin, nuk bënin tjetër veçse e përcillnin me një buzëqeshje të thellë, askush nuk mund të dinte gjë me saktësi. Në vigjiljen e festës, një mëngjes të ftohtë plot brymë, kukullat mbërritën nëpërmjet një kamioni frigorifer të vogël. Bashkë me shoferin, i shkarkuam në hyrjen e ndërtesës trekatshe. Më pas më ndihmoi që arkat të futeshin në një nga dhomat e banesës, pranë sallonit në katin e dytë. Ndërkaq Lusi, një qen i vogël i racës New York, me leshin që i zinte sytë, me një këmbë të thyer gjatë lindjes, nuk pushonte së lehuri në drejtim të mallrave të porsaardhura. Ishin katër kuti të mëdha prej druri të lustruar, me ngjyrë të kuqërreme, në të cilat disa etiketa prej letre të plastifikuar ngjyrë rozë thoshnin se në secilën prej tyre gjendej e mbyllur një vajzë e re. Duhej të ndodheshin aty në një gjendje të veçantë letargjie ose ngrirje…Të pakën, ky ishte mendimi qe më vinte atypëraty. Një tjetër etiketë porosiste të ndiqeshin rigorozisht udhëzimet e riprurjes në jetë. Kjo gjendej e ngjitur në anën e djathtë të kutisë. Në njerën nga faqet nuk mungonte as shënja e thyeshmërisë, nëpërmjet skicimit të një gote elegante brandy, shenja e të moskthyerit përmbys të kutisë, nëpërmjet një shigjetë të trashë me kahun lart, shenja e mbrojtjes nga shiu e lagështia, etj.
Dhe kur, më në fund, erdhi çasti i shumëpritur prej të gjithëve, magjia e asaj nate që bëhej hapja e kutive të rralla, unë së bashku me kukullat e ngrira u ndodha pranë bredhit të madh të Krishtlindjes. Vezullonte i ndriçuar prej dritash, pranë një oxhaku të bukur me mermer të kuqërremtë të skalitur, ku flakët e një zjarri ardent, Ave Maria e Shubertit apo Gunosë, zëri i Diana Ross, që delnin prej një sistemi të harmonizuar altoparlantësh, nuk mund të mos të të preknin thellësisht. Pianoja në sallën tjetër kishte pushuar së lojturi prej disa minutash, kur zoti dhe zonja Swedberg u gjendën mes të pranishmëve, ulur të gjithë mbi disa kolltuqe, poltrona apo karrige antike të zbukuruara me relieve amorësh, harqesh, shigjetash me majën të lyer me ar. Ishte një motiv që e vëreje edhe në pjesën e sipërme të mureve apo në tavanin e sallonit. Të mbërthyer nga padurimi, fëmijtë e vegjël të të ftuarve ndodheshin më këmbë pranë meje. Atë çast të gjithë i mbanin sytë ngulur tek unë, ngaqë prej çiftit Swedberg pikërisht mua më ishte ngarkuar të merresha me riprurjen në jetë të atyre vajzave të ngrira. Falë mirësjelljes dhe edukatës së veçantë të njerëzve të asaj shtëpie, e thuajse gjithë suedezëve, prej kohësh kisha filluar të ndihesha diçka më i shpenguar. Vetëm prania e ftohtë dhe e ngrirë e një inxhinieri arkitekt, disi të pakomunikueshëm e snob, më turbullonte lehtë. U ngroha diçka në vijim vetëm kur mendova se, në fund të fundit, qëndrimi i tij ishte diçka që i bezdiste edhe të tjerët.
* * *
Gjithë atë paradite kisha lexuar e stërlexuar me kujdes udhëzimet që gjëndeshin nëpër arka. Këto ishin shkruar pothuajse në të gjitha gjuhët kryesore europiane, përfshirë edhe turqishten. Dhe ja, nuk më mbetej tjetër veç të kryeja përfundimisht ringjalljen e kukullave. Habitesha dhe njëkohësisht i admiroja pa masë të pasurit – termin klasë borgjeze prej kohësh e kisha fshirë nga fjalori – për atë fantazi e shije të hollë në të zgjedhurit e gjërave. Ishin në gjendje të gjenin e të shkulnin edhe prej fundit të botës objekte të tilla kaq të rralla! Vajza të ngrira! Kukulla të ngrira! Bukuri të rralla! Të ngrira!.. Ishte diçka që më bënte të ndihesha i emocionuar. Me pak fjalë, të mos ndjehesha tepër i sigurt nëse do t’ia dilja mbanë kësaj pune të vështirë që po filloja. Isha pikërisht unë personi që i binte barra për të ringjallur patjetër kukullat e jashtzakonshme.
Në fillim prej ankthit, nisa të veproj diçka i nxituar. Nëpërmjet një çelsi të verdhë, të lyer në ar, hapa arkën e parë, ku pashë, para meje, shtrirë në mëndafsh të kuq një figurë të bukur vajze koreane, vietnameze, ndoshta kineze, mbasi dallimet e pakta ndërmjet tyre më ngatërrojnë. Ndërkohë që udhëzimet e përcaktonin qartë se kukullave duhej t’u fryje lehtas në fytyrë, njëlloj siç bëjmë kur duam të provokojmë të qeshurit te një foshnje Pastaj të prisje disa çaste, në mënyrë që më pas të mund të vëreje tek to shenjat e para të jetës. Pikërisht në këtë mënyrë veprova me të parën…
Në vijim, duke hapur arkën e dytë, gjeta aty një pamje edhe më të bukur. Asaj çupe i lëshova një frymë të lehtë mbi qerpikë, si për të mos e bezdisur. Pastaj, duke iu rikthyer arkës së parë, vura re se kukulla e saj ndodhej nën shenjat e para të ringjalljes. Kështu, i gëzuar, vijova me kutinë e tretë, duke kryer të njëjtin veprim, atë të frymës së lehtë mbi fytyrë.
Por sapo iu kthyeva arkës së dytë, kukulla çuditërisht m’u duk tepër e zbehtë. I alarmuar vura re se shenjat e jetës në fytyrën e saj engjëllore mungonin. Duhet ta pranoj se qysh në fillim më pati lenë një përshtypje të çuditshme. Nën një lloj bukurie me tipare klasike, dallohej diçka fëminore, tretur në një pamje serioze, diçka si një vel trishtimi, shkaktuar si prej një gabimi që edhe në gjumë shpërndan qetësisht helmin e tij. Por, ngaqë nuk dija se ç’të bëja, iu afrova edhe më tepër se herën e parë, duke i fryrë fort në buzë, flokë e qerpikë. Si i dehur, fillova të tërhiqesha thellësisht prej pamjes së saj aq të veçantë. Ishte një bukuri delikate, prekëse e njëkohësisht tragjike. Ndjeva fatalitetin, gjithnjë në formën e një dore të pamëshirshme të shkëputur nga pjesët e tjera të trupit, të më shtrëngonte mizorisht në fyt. Ndonëse udhëzimi në raste të tilla e përcaktonte qartë: reanimatorit të kukullave i duhej të priste… Prandaj, me zëmër të dridhur, iu afrova kukullës së tretë. Vura re se atë çast, nën një palë qerpikë të gjatë, ajo ishte duke lëvizur ca sy të bukur bojëqielli. Po më dukej se të tillë i kisha imagjinuar edhe para hapjes së arkës – kushedi nëse thjesht për hir të faktit se përmbajtjen e arkës me gërmat e saj cirilike e njihja qysh më parë. Tregonin se vinte prej një Rusie apo Ukraine të largët, të cilën gjithmonë e përfytyroja të kredhur midis stepash pa fund, arinjsh, balalajkash, kozakësh, kuajsh, shpatash, komitash, trenash me tym të bardhë, gulagësh, pyjesh të mjegulluar, mështeknash, akujsh e brymash. Por edhe më çuditshëm po më rrënjosej mendimi se këtë kukull e njihja qysh më parë. Edhe pse në femini, kur kishim marrëdhënie të mira me sovjetikët, mbaj mend se, fare për pak çaste, kisha luajtur vjedhurazi vetëm me një matrioshkë të vogël prej druri, si dhe me derivatet e saj të dala nga barku i njëra-tjetrës, të zvogëluara në mënyrë të njëpasnjshme, të gjitha me sy bojëqielli e shami lloj-lloj ngjyrash në kokë…
* * *
Fillova të hap kutinë e katërt. Te vajza e saj dërgova vetëm një regëtimë. Dhe këtë e bëra thjesht nga padurimi për të marrë vesh ç’ndodhte me kukullën e dytë. Ndërkaq, e para dhe e treta kishin nisur të çoheshin më këmbë, nën mrekullimin e të pranishmëve, që duartrokisnin e duartrokisnin. Por, për fatin tim të keq, kur vajta tek arka e dytë dallova se vajza e saj përsëri vijonte të mbetej e zbehtë. Kështu, një dyshim ogurzi më bëri të mendoja se ndoshta kjo kukull nuk do të arrinte të zgjohej… Në atë çast, edhe vajza e katërt kishte arritur të ngrihej më këmbë, pasi duartrokitjet e njerëzve që mbushnin sallonin vijuan të forcoheshin. Por si të veproja me kukullën e dytë? Nuk ndieja në zemër të njëjtin ankth të fillimit, në ato çaste të jashtëzakonshme për mua e ndieja ankthin të shumëfishuar. Vendosa të bëja me kukullën një hap më tepër, matanë udhëzimeve të parashikuara nëpër arka. Pa dashur, në mënyrë krejt poetike, fillova të mendoja se fryma që dërgohej në fytyrën e kukullave duhej të përbënte patjetër një veprim dashurie, sepse kjo, nëpërmjet forcës së saj të mbinatyrshme, i bënte ato të riktheheshin në jetë. Përse të mos e përforcoja më tej atë lidhje të brishtë të kukullës me jetën? Përveç kësaj, a nuk parakuptonte kjo se në eterin e një nate të magjishme, si ajo e Krishtlindjes, vetë njeriu sikur provon një lloj ringjallje shpirtërore? Ai sikur arrin të ndiejë notat më sublime të vetë misterit të amëshuar. Kjo natë rrezaton në shpirtrat e njerëzve gjithë atë qetësi, paqe, mirëkuptim. Pavarësisht se të nesërmen gjithçka, pa e kuptuar, përsëri tërhiqet verbërisht drejt monotonisë, rutinës, banalitetit, thashethemeve, nxjerrjes së syve.. Ε njerëzit me njëri-tjetrin mbeten përjetësisht të huaj. Me pak fjalë, gjithçka vezulluese prej kësaj nate të magjishme zbehet, tretet, harrohet… M’u desh pothuajse një jetë e tërë për ta kuptuar këtë. E megjithatë, përsëri nuk mund të mos besoj se njerëzit nuk arrijnë të zbuten diçka në natën e kësaj magjie misterioze që quhet Krishtlindje.
Më duhej veç ta puthja në buzë kukullën e bukur. Në vijim u binda, kisha pasur të drejtë. Ajo filloi të gjallërohej disi. Dhe dukej sheshit se ato vajza të reja, së bashku me ëndrrat e largëta që sillnin, kishin nevojë për dashuri, veç për një dashuri të pastër, të vërtetë dhe jo të endeshin e lëngonin të plagosura në errësirën e dyshimtë të rrugës. Çuditërisht, po ndjeja se ndaj tyre kisha marrë një qëndrim brojtës! Prandaj, duke marrë guximin të shtrihesha përbri kukullës së dytë, fillova të dërgoj drejt fytyrës së saj edhe më tepër frymë. Atë çast, unë duhej ta kisha harruar krejtësisht inxhinierin arkitekt me natyrë meskine. Kukulla filloi të gjallërohej më tepër, duke më hedhur më pas duart mbi flokë dhe fytyrë, sikur të thoshje se ne të dyve na lidhte e njësonte një fatkeqësi e përbashkët. Por e vërteta është se, me ta hapur kutinë, nëpërmjet asaj vajze të re kisha ndier të më përforcohej era misterioze e një fëmjërie të largët, kënga e mistershme e bulkthit netëve të vakta të verës, apo muzika e shqetësuar e Gustav Malerit, bashkë me kujtime të turbullta njerëzish pothuaj të harruar, dashuri të vjetra të mjegulluara, më tepër platonike, të parealizuara kurrë. Çudi! Ndiej të mos më ndahet nga thellësitë e shpirtit edhe ajo pjesa e bukur, e ëmbël e ca njerëzve të ndershëm, të brishtë, të lëne pas dore, që kam patur fatin të njoh në Shqipëri. Dikur, kur isha pesë vjeç, isha dashuruar me një çupë të vogël, e cila më pas vdiq në internim. E quanin Arieta. Kur u rrita, pothuajse nuk u dashurova më kurrë. Me përjashtim të një rasti, kur m’u duk se pashë të kalonte në rrugë një vajzë që i përngjante asaj… Ishte një dashuri e çmendur në vetmi! Në krye të dy-tri javëve, kuptova se Arjeta apo ajo dashuria e madhe që lidhej me dritëhijen e saj, nuk mund të më shfaqej më kurrë.
* * *
Sidoqoftë, këtu, në spitalin Sahlgrenska të Goteborgut, unë shpesh herë ndihem mjaft i mallëngjyer. Patjetër, për hir të ëndrrave të bukura që shikoj. Mbi të gjitha, më duhet të falënderoj barnat, më përjashtim të rastit kur m’u shkaktua epilepsi me shkumë nga goja. Ndërkohë, e kam kuptuar: kjo mund të më jetë shkaktuar nga mërzitja e madhe. Më bie për herë të dytë në jetën time. E para më ka rënë rreth moshës gjashtë vjeç.
E vërteta ështe se këtë natë Krishtlindjesh unë nuk ndodhem aspak në shtëpinë e bukur të çiftit Swedberg dhe vajzave të tij të vogla, Keti, Mari, Helen dhe Greis. Me ata unë jam ndarë para disa orësh. Erdhën të gjithë familjarisht të më vizitojnë.
Sa për kukullat e ngrira apo për festën që bëhet sonte në shtëpinë e tyre, atë thjesht e ëndërroj… Me interesimin e zotit Olaf, tani ndodhem i shtruar këtu në Sahlgrenska, ku mjekët përpiqen të më shërojnë prej një sëmundje të vjetër në mëlçi. Do të më mbajnë edhe nja dy-tri ditë. Për shërimin tim thuhet se nuk kanë më shpresë.
Be First to Comment