Press "Enter" to skip to content

Reflektim mbi romanin “Në Tiranë bie shi” të Kliton Nesturit

Një Tiranë që pikon nga shirat realë dhe imagjinarë. Një autor – personazh, që rrëfen në vetë të parë “duke pikuar”, bashkë me shiun, pjesëza të personalitetit që nuk do të dorëzohet në rrjetën e hollë të padinjitetit, që bën presion të përditshëm në jetën tonë njerëzore të dekadave të fundit. Histori personale të gërshetuara me histori brezash e me historinë e një metropoli në tranzicion e transformim jo vetëm të pamjes, por të të gjitha marrëdhënjeve; shtet – individ, burrë- grua, i dashur – e dashur, etër – bij.
Autori Kliton Nesturi tenton dhe ia del mirë të realizojë një skaner delikat të të gjitha këtyre marrëdhënieve komplekse të një shoqërie e breznie post ’90-s, që ëndërroi, tentoi ndryshimin a përshtatjen, ia doli a u dorëzua, e përsëri gjenden të vetëdijshëm në vorbullën e ndryshimeve e të përshtatjeve që nuk janë të lehta.
Ka rrëfime dashurie e divorci, rrëfime ëndrrathyerish e njerëzish ambiciozë, ka tundime sensuale, edhe nga ato për të shkuar pa zhurmë në botën tjetër, ka rrëfime miqësish rezistente ndaj kohës e nga ato që nuk i rezistojnë ditënetëve.
Kliton Nesturin shkrimtar e ndjen të afërt në rrëfimin e tij që dhëmb, që analizon e tenton persiatje psikologjike, që pikon trishtim e fatalitet vdekjeje shpeshherë, që rrezaton dinjitet e pamundësi për të mbetur i tillë në një kohë kur paraja, qoftë dhe e papastër, krijon e vendos standardet e dinjitetit. Me pikat dhe rrëketë e shiut që bie në Tiranë, hyjnë dhe dalin në memorien e lexuesit personazhet e brishtë a arrogantë, vetmitarë a fatpranues, dështakë a vdekjepritës, ëndrrimtarë të padorëzueshëm a dashnorë rezistentë.
Çdo sekuencë romani është e prekshme, e jetueshme, e afërt, mbështetëse e dilemave tona personale. Fati i individit në një shoqëri pa shumë moral e shëmbuj-idhuj për t’u ndjekur, është në fotografinë e kohës sonë, realizuar përmes romanit nga Kliton Nesturi.
Do të të thoja “faleminderit Kliton!”, nëse nuk do ta lija ty monopolin e përdorimit të kësaj fjale në roman.
Thjesht po të them: rrugëtim të mbarë librit “Në Tiranë bie shi”!
Meqenëse edhe sonte në Tiranë bie shi…

Autori
Rezarta Reçi

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *