Press "Enter" to skip to content

Po bëhem mbrëmje

Po bëhem mbrëmje

Dalëngadalë,
po bëhem mbrëmje.
S’kam më sy,
por dy male mjegulle.
Brenda syve dy kalorës pa kuaj zvarriten
dhe një diell i shuar, që kush e di kur ka vdekë.

Dalëngadalë po bëhem ikje,
s’kam më këmbë,
por dy kaproj vetmie.
Në brirë kaprojsh është ngatërruar pylli,
nuk di nga mund të dilet.

Dalëngadalë po bëhem dhimbje,
s’kam më duar,
por dy mjellma malli.
Në krahët e tyre do ta mbaj qiellin
dhe botën që është veç prej ajri.

Orakull

Nuk mund ta lexosh qytetin tim,
Nëse nuk e lexon natën me gishtërinj që u janë sosë mollëzat,
Nëse nuk të ndihmojnë lakuriqët e natës,
Nëse nuk e ndan hijen tënde nga ajo e pemëve,
Dhe nëse nuk beson se edhe hëna qan braktisjen
Dhe vetminë e saj.

Nuk mund ta lexosh qytetin tim,
Nuk mund ta dish se ç’thotë heshtja e tij rënkuese,
Që duket si e qeshur a e qarë që del nga toka,
Dhe nëse nuk e beson se xixëllonjat që fluturojnë
Janë thërrmija yjesh, që kanë thyer qafën nga zemërimi
Për dashurinë e humbur.

Nuk mund ta lexosh qytetin tim,
Nëse nuk di të lexosh gjurmët e vjetra e të reja,
Që kanë lënë vetëtimat në telajon e natës
Dhe nëse nuk i kupton mesazhet, që të parët kanë lënë
Për pasardhësit e tyre, mesazhe që nata i fsheh
Dhe dita s’ka kohë të na i japë.

Nuk mund ta lexosh qytetin tim,
Nëse nuk kupton çfarë thonë zogjtë nëpër degë,
Nëse nuk e kupton se nuk janë për njerëzit e këtij qyteti,
Udhët dhe shtigjet që sheh, pasi njerëzit
Udhët e fatit i kanë të vizatuara në duart e tyre
dhe ecin nëpër to, pavarësisht gjithçkaje që ndodh.

Nuk mund ta lexosh qytetin tim,
Nëse nuk dëgjon psherëtimat e rënkimet e vjetra e të reja
Të njerëzve nën ura, në skuta të ftohta a krevate të ngrohta,
Nëse nuk lexon lotët e fshehtë të natës e trishtimin e mëngjesit,
Në shikimin e përhumbur te sytë e një gruaje,
Nga shpina e kthyer dhe ëndrra e thyer.

Nuk mund ta lexosh qytetin tim,
Nëse nuk e kupton se dashuria është mallkim,
Mallkimi më i bukur i zotit dhe njeriut.

Nga dritarja ime në majë të pikëllimës

Nga dritarja ime në majë të Pikëllimës
Vështroj si zog përmbi botë.
Me dritën e syve të mi
Shkruaj melodinë e përmallshme
Të një kënge të trishtë që s’e njoh.

Lexoj luftërat e humbura të të parëve të mi
Luftëra të përgjakshme ku secili
Prej tyre edhe pse ish ushtar i vetëm
Sillej si ushtri.

Nga dritarja ime në majë të Pikëllimës
Shoh luftërat e sotme të bashkëkohësve të mi
Luftëra të egra që bëjmë me veten,
Mburrjet neveritëse të humbësve
Dhe mashtrimin që humbjet i shet si fitore.

Autori
Rexhep Shahu