– Ke harruar që je i papunë!
Diplomat e tua qesharake nuk mund t’i habisin përjetësisht njerëzit e një vendi të shkatërruar, ku disa punëkërkues shkojnë deri aty sa t’i premtojnë para punëdhënësit që t’i marrë në punë.
Më ke kushtuar shumë shtrenjtë, që nga dita kur u martuam.
Mos të të shkojë mendja se do të të jap ndonjë lek për të gjetur punë. Përderisa s’di nga ta çosh kohën, do ta heq nga puna edhe shërbëtoren. Çdo mëngjes, para se të nisem për punë, do ta fëlliq apartamentin e do t’i detyroj fëmijët t’i bëjnë nevojat e tyre herë këndej e herë andej, veç që të mos kesh si t’ia bësh pa e larë krejt shtëpinë, përpara se ata të kthehen nga shkolla.
Do t’a gjesh një zgjidhje edhe për kolltukët e mëndafshit, që nuk e durojnë as edhe një leckë të lagur.
Të dua, por mëshira është e kundërta e dashurisë. Do të ta bëj jetën aq të vështirë, thua se kam ndonjë urrejtje të thellë ndaj teje. Ke përfituar shumë gjatë nga jeta dhe pa asnjë dënim. S’kam qenë kurrë e sëmurë, asnjë aksident s’më ka ndodhur, madje kur lindja fëmijët ti përfitoje të flije me infermieren.
Kjo është e vërteta e pastër.
Thua se s’më mjaftonin dhimbjet e lindjes, por më duhej edhe të të vëzhgoja me bisht të syrit. Rrije vërtet larg, por unë shihja qartë, përtej kafkës tënde, se si gjuaje rastin ta shihje infermieren të përkulur, për t’ia rrasur nga mbrapa në ëndrrat e tua.
Ti ëndërron në këmbë, si të gjithë perversët.
Por, tashmë, lumturia jote po merr fund. Që nga java e ardhshme do të fillosh të ndjesh simptomat e para të infeksionit të mëlçisë, pasi mjeku ynë i devotshëm, Dr. Mouton, të ka injektuar virusin e hepatit, kur të bëri vaksinën kundër gripit. Je i lutur të më besosh, që sapo të shpërthejë verdhëza, do të të bëj disa foto me atë fytyrë limoni, duke pastruar apartamentin tonë të katandisur në një stallë lopësh.
Fëmijët do t’i nxjerrin ato foto në profilet e tyre në Facebook.
Tani eja të shtrihemi e të bëjmë dashuri. Bythët e mia s’kanë asgjë tërheqëse për ty, pasi ke dhjetë vjet që duhet të merresh me to, e karuci yt i përdredhur s’më ka dhënë kurrë kënaqësi, por dua që ti të zbresësh deri në kanalet e ujërave të zeza të jetës bashkëshortore, duke ia bërë gruas tënde.
Kam vënë disa qeska poshtë nënkresës.
Në fund të fundit ka shumë mundësi që edhe unë të vjell. Por do të vjellim pastër, drejt e në qeska, si të ishim në një avion. Të vjellat tona do t’i shpërndaj surratit tënd nesër në mëngjes. Do të zgjohesh i tronditur e do të kuptosh se sa larg mund të shkojë një grua për t’ia nxirë jetën burrit të saj, për shkak të poshtërimit që ndjen nga martesa me një burrë të përjashtuar nga bota e punës.
Shqipëroi nga frëngjishtja: Arbër Ahmetaj











Be First to Comment