Më thuaj, të jetë e vërtetë, i dashuri im,
të jetë kjo e tëra e vërtetë?
Kur këta sy shkrepin mbi ty rrufe,
retë e ngarkuara në kraharorin tënd përgjigjen me stuhi.
Të jetë e vërtetë se buzët e mia,
janë të ëmbla si gonxhe e hapur e mallit të parë?
A përkunden kujtimet e netëve
të shkuara të majit në gjymtyrët e mia?
A dridhet toka nën këmbët e mia, si harpa për këngët?
Të jetë e vërtetë se pikon vesë nga sytë e natës kur shfaqem
dhe se agu gëzohet kur mbështjell kurmin tim?
Të jetë e vërtetë, vallë,
të jetë e vërtetë se dashuria jote endej nëpër shekuj,
duke më kërkuar vetëm mua?
Dhe kur më gjete, si ra më në fund në paqe
përmallimi yt i gjatë në zërin tim të butë,
në përqafimin e ngrohtë, në sytë dhe në buzët e mia,
në flokët e mi të dendur?
Të jetë e vërtetë se e fshehta e pafundësisë
është shkruar në ballin tim të vogël?
Më thuaj, i dashuri im, të jetë e gjitha kjo e vërtetë?
Përktheu: Eqrem Kryeziu










Be First to Comment