Pa kohë
Edeni është gjithherë me kopshtin me mollë
dhe këshilla të mos e prekim pemën e dijes.
Ti nuk lëviz. Me padurim e pres dorën,
ta këpusësh mollën, ta zhbësh çastin mërzitës.
Ikin ditët një pas një, në një si harresë,
nuk e kuptojmë se rastet kështu i humbim;
i njëjtë është Edeni në pendesë,
dhe ne në monotoninë ku na përkund… gjumi!
Pamundësi
Nuk mund të ikësh kurrë aq larg,
sa të resht
së menduari për ty!
Kërkimi
E kërkova me aq ngulm,
m’u bënë ëndrrat… varkë
dhe fletët… det.
Hera-herës më ngjan se e kam gjetur,
tjetër herë më duket,
se duke e kërkuar
kam humbur… vetë.
Përkohshmëri
Herë na del
e herë na merr gjumi…
Në djepin e përkohshmërisë,
përjetësisht përkundemi.
Autori







Be First to Comment