Me pikën e parë të shiut
Me pikën e parë të shiut u vra kjo verë,
e u lagën të gjitha fjalët që kishin lindur shkëlqime yjesh,
të gjitha ato fjalë që kishin veç një vendmbërritje… ty.
Para syve të mi ishe dritë
e para dashurisë ishe vetë dashuri,
e kur more puthjen e parë,
grua.
E ku do t’i shtrijmë duart tani,
që as koha nuk na llogarit më,
po sytë tanë ku do t’i drejtojmë,
tashmë që vijat e largëta të shikimit u fundosën në re?
E jemi vetëm, krejt vetëm,
duke u rropatur në pamjet tuaja të pashpirt.
Se para syve të mi ishe dritë,
e para dashurisë ishe vetë dashuri.
E kur more puthjen e parë…
Grua…
Ëndrra e ëndrra
Ëndrra e ëndrra erdhën
në ditëlindjet e jaseminëve,
net e net pafund,
në pagjumësitë e bardha të mjellmave.
Por freskia shpaloset në gjethe,
tamam si ndjenjat ndriçuese
në qiellin e pafund…
∗∗∗
Ah, që atëherë që pata pengesë një erë,
mësova të udhëtoj me të gjitha erërat.
∗∗∗
Nuk ia di ngjyrën pritjes, vetëm shijen po.
Dhe nuk e kam mbajtur kurrë në duar lumturinë absolute.
Por… e kam prekur.
∗∗∗
Kur është natë ëndërro. E në mëngjes hapi të gjitha dritaret.
Sepse çdo gjë ka të drejtë të ndriçohet.
∗∗∗
O Zot, sa shumë blu harxhon që mos të të shohim.
Përktheu Jasmina Kotrri









