Biletë false
Çastet e mia –
kokrra kafeje e pjekur.
Mulliri i vetmisë
i bluan të gjitha.
Në filxhanin e kafesë –
e nesërmja e pirë përgjysmë.
Helena e Trojës
Helena më tha, duke lotuar:
“U mërzita,
së qeni e bukur,
së tradhtuari burrin
dhe së braktisuri Spartën.
Kaq shekuj u lodha
së mbajturi në sy
Trojën e djegur
dhe hirin,
që u zë sytë helenëve triumfues,
tek ikin nga Troja.
Kaq shekuj
që Akili vret Hektorin
dhe Hektori s’di të vdesë.
Mos i besoni bukurisë sime,
Homeri i verbër qe!”.
Bukurshkrimi
Në burg s’ka letër
edhe po të ketë,
s’na e japin.
Dielli zgjat dorën,
gris një copë qiell
dhe e fut në qelinë tonë.
Me yjet që mbeten natën,
shkruajmë në sytë e njëri-tjetrit
fjalët e shpresës dhe durimit.
Pik’jetë
…Aty nisi,
kur rrezja e parë hyri mes grykës
dhe krisi-
lëkur’ e daulles çahet nga forc’ e pykës.
Lëshohen
këngë e fjalë, lot e mall, gëzim e dhimbje
dhe dëgjohen
të pathënat e dergjura që në lindje!
Trazoje, trazoje,
me at’ rrezepykë shtratin hyjnor ku jeta nis,
shikoje, mësoje,
si farën e parë të hedhësh për të mbjellë filiz!
O fuqi,
që më vjen nga fund i barkut si magji
dhe rini,
që sot më mbushe plot me jetë dhe freski!
Pik’jeta
nis me at’ pikë gjaku që nxjerr lëkur’ e daulles
dhe vdekja
vjen kur shteg’ i vjetër i zë daljen udhës…!
(Shkëputur nga Revista Letrare – Pranverë 2022)
