Press "Enter" to skip to content

Balona

Njëmend isha krijuar për të qenë balonë.
Lartësitë më pëlqenin edhe kur
përmbys rrija mbi kresë e ndëshkuar
me orë të tëra.
Ndieja se si dhoma ime ngjitej lart
nuk ëndërroja – ngjitej
kisha frikë dhe më pëlqente.
Ajo që shihja, si ta them,
ishte si “kujtim i së ardhmes”
pemë që iknin, male që ndërronin pamje
fusha gjeometrike me pyje të dendur si pubisë
– kisha frikë dhe më pëlqente –
të çikja kambanoret
t’i ledhatoja kambanat e tyre si herdhe meshkujsh
të përhumbesha…
Njerëz me çadra të lehta pupël
kalonin pjerrtas
dhe më buzëqeshnin;
dikur më trokisnin në xham:
“zonjushë”
kisha frikë dhe më pëlqente.
Ishin “njerëzit e sipërm” – kështu i quaja
nuk ishin si “të poshtmit”;
kishin mjekra të gjata
dhe shumë prej tyre mbanin në duar lule manjolash;
disa hapnin përgjysmë portën e ballkonit
dhe më vinin në gramafon disqe tjetërsoj.
Më kujtohet “Aneta me sandale”
“Geizer” i Spizvergut
“Frutin s’e kafshuam, maji s’do na vijë”
(po, edhe të tjera mbaj mend)
e them sërish – nuk ëndërroja
papritmas “Hape pakëz atë që vesh, kam një zog për ty”.
Ma kishte sjellë Çiklisti Misterioz
një ditë teksa rrija dhe lexoja përciptazi,
krejt pa u ndjerë, kishte mbështetur biçikletën te krevati im;
më pas tërhoqi fillin
dhe unë gufohesha lart në ajër
vezullonin të linjtat e mia shumëngjyrëshe
vështroja sa të tejdukshëm bëheshin ata
që u pëlqenin frutat ekzotike dhe shamitë e një kontinenti të largët;
kisha frikë dhe më pëlqente
dhoma ime ngjitej a unë – nuk e kuptova kurrë.
Jam prej porcelani e lulemanjoleje
dora ime rrjedh prej inkasve të lashtë
rrëshqas përmes dyerve
si një tërmet i imët krejt
që e ndiejnë vetëm vogëlushët dhe qentë;
logjikisht duhet të jem përbindësh
por asnjëherë s’u mëkova nga kundërshtia, dhe kjo varet
nga qeniet me kapele majuce që fshehtazi flasin netëve me nënën time
që ta drejtpeshojnë. Dikur zëri i borisë nga kazermat e largëta
më çmbështillte si fjongo, dhe të gjithë rreth meje
duartrokisnin – cifla vitesh të paimagjinueshme
qëndronin pezull në ajër.
Në lajtoren ngjitur çezmë të hapura
përmbys në kresën time
kundroja burimet me të bardhën e papërlyer që më spërkatnin.
Sa bukur Zot, sa bukur
poshtë në dhe, shkelur nga këmbë njerëzish
ruaj ende në sytë e mi
zinë e largët të së shkuarës.

Përktheu: Eleana Zhako

Elitis lindi më 2 nëntor 1911. Është vlerësua si përfaqësuesi më i rëndësishëm i surrealizmit letrar në Greqi. Në vitin 1979 fitoi çmimin Nobel në letërsi.
Ishte pasardhësi i një familjeje të vjetër industriale nga Lesbos, por Elitis lindi në Heraklion, në ishullin e Kretës. Më vonë, familja e tij u transferua në Athinë, ku poeti u diplomua për drejtësi në Universitetin e Athinës.
Në 1935 botoi poezinë e tij të parë në revistën “New Letters” (Νέα Γράμματα), me nxitjen e miqve të tij, një prej të cilëve ishte Yorgos Seferis. Hyrja e tij në letërsi, me një formë të veçantë dhe origjinale, ndihmoi në krijimin e një epoke të re në poezinë greke. Disa nga veprat e tij më të rëndësishme janë:
Aksion Esti
Monograma
Maria Nefeli
Këngë heroike dhe e përzishme për nëntogerin e rënë në Shqipëri etj.
Nga viti 1969 deri në vitin 1972 u internua në Paris. Më pas udhëtoi shumë nëpër botë, i ftuar edhe nga qarqet letrare, ndërsa vdiq në Athinë, më 18 mars 1996, në moshën 84-vjeçare, nga një atak kardiak.

Autori
Odiseas Elitis
Autori
Eleana Zhako