Ikjet e bukura
Më ikin përditë pjesë nga vetja,
Vijnë e m’i marrin dy engjëj të bardhë,
Vijnë të heshtur e ikin të heshtur
Sikur mbartin mbi vete
Një Krisht të vrarë.
Gurët e burrave
Burrat e vendit tim po rrisin dafina në epruveta!
Gurët e maleve po i shkulin nga rrënjët,
Të gdhendin fytyrat e veta.
Statujat e heronjve,
Po thërrmohen pak nga pak
Nga mëritë e lavdive.
Erdhi koha kur statujat
Të vriten nga të gjallët.
Erdhi koha kur të gjallët
Të vriten për statuja.
Ikona e saj
Vdeksh o marrëzia ime!
Që gdhende mbi gurët e kujtesës
Ikonën e saj të mermertë.
Unë e theva atë!
Brenda meje u derdh prushi i kujtimeve
E ma dogji ankthin e pathënë.
U bëra i tëri natë prilli
Pa hënë.
Nata është një…
Nata është një kryq i bardhë dashurie,
Me emër gruaje gdhendur në skaj,
Gozhdët e argjendta që ngulen mbi të
Kanë dhimbjen therëse të trupit të saj.
Pesha e kryqit na bëhet mundim
Sa herë që ngjisim e zbresim Golgothanë,
Gjaku i shenjtë që rrjedh nëpër shpirt
Një trup të vetëm i bën trupat tanë.
Kur ishim fëmijë
Kur ishim fëmijë,
Donim të ndërtonim një shtëpi të madhe kukulle
Me tulla prej ajri.
Vraponim përditë mbi qeshjet tona
Të gjenim tulla të bukura,
Tulla të forta,
Por tullat ishin të gjitha të padukshme
Si rrobat e mbretit të përrallave.
Dhe ne lodheshim
Duke vrapuar nëpër ëndrra,
Derisa lodhja na u bë djersë,
E djersa na u bë kollë,
E nga kolla
Pështynim varfëri.
Një ditë,
E pamë veten se ishim
Kukulla të rritura
Pa fëmini.
Lidhëset e këpucëve
Unë i thur lidhëset e këpucëve,
Me këngën e gjelave të parë.
Hëna më pret te kumbulla e oborrit,
Të jemi të dy
Bashkudhëtarë.
Pylli s’është më babapyll
Plepi i bardhë fërshëllen,
Buzë pyllit të veshur me dimër.
Lepurushët vrapojnë nëpër borë
Të shuajnë urinë,
Me fletën e ashpër të muzgut.
Janë fshehur gjethet e thara të barit,
Udhërrëfyeset e heshtura të stinëve.
Vetëm dhelprat përgatisin me ngut
Darkën e shijshme të pusive
Me klithma lepurushësh në fyt.
Pylli sonte s’është më babapyll,
Me borën e ngrirë kthyer në mermer,
Ku ngrihen pusi për lepurushët e gjorë
Nën plepin e bardhë që fërshëllen.
Ullinjtë e vrarë
Sot do të bëhem kishë!
Në vend të qirinjve
Do të djeg brenda vetes
Degët e vrara të ullinjve.
E diela do të bëhet kukuvajkë
E do të këndojë
Mbi trungjet e mbetur në korie.
Be First to Comment