Press "Enter" to skip to content

Një aktoreje dështake

1
Aktrimin e ke në karakter…
Në rrobat e çuditshme, me ngjyra këllirë…
Në zërin e butë deri në ekstrem…
Në flokët e humbur në kohë dhe hapësirë…
Në gushën e gjatë dhe aventuriere…
Në gjithçka… gjithçka…
E shfaq aktrimin e keq…

2
Zonja ime:
mos m’i përdor poezitë
për kozmetikë.
E urrej gruan
që përdor burrat si makiazh.
S’jam…  nuk jam…
personi që e var në garderobë.
Nuk aspiroj të gradohem si poet i sulltanit
apo të trajtohem si macja turke e sallonit
që fle gjithë natës nën flokun tënd të gjatë.
Aktrimin nuk e honeps dot
dhe e refuzoj çdo grua
që më dashuron për kozmetikë.

3
Mos më tërhiq për dore
drejt shtigjeve të tua, si qengj të urtë.
Mos më konsidero një dosido
nga tufa e ashikëve.
Nuk e duroj dot poshtërimin, zonjë,
as thëllimin… acarin…
Thjesht s’mundem…
Këshilla ime për ty është…
mos vër të kuq buzësh me gjakun tim.
Këshilla ime…
mos ma shkel krenarinë
Këshilla ime…
mos i trego letrat që të kam shkruar,
si të ishin skllave
sepse refuzoj të ekspozohem si kuajt
në kuvendet e grave.

4
Një këshillë të sinqertë për ty… e shtrenjta ime.
Mos më trajto si një hallkë poetike, ku shfaqem si ylli i mbrëmjeve të tua.
Mos më mendo si hero prej letre,
që vdes në një nga romanet që ke shkruar.
Mos më merr si kandil, që të sigurosh llamburitjen e netëve të tua poetike.
Mos më vish si pallto, të marrësh mendimin e mikeshave.
Mos më trajto si një nga veset e tua të përditshme.

5
Një këshillë të fundit për ty… e shtrenjta ime
Mos shfrytëzo poezinë për të plotësuar një nga të tuat hobe.
Nuk do të bëhem balerin profesionist
që rend të përmbushë instinktet e tua të kësaj bote
Në çast jap dorëheqjen
nga të gjithë parajsat e tua idiote…

Përktheu Elmaz Fida

Autori
Nizar Kabani
Autori
Elmaz Fida