Press "Enter" to skip to content

Ta kanë vjedhë shpirtin

Ta kanë vjedhë shpirtin

E kam ditë përherë,
kur gjoksin ta ka shtrëngue,
zemrimi i zi,
e shpirti t’ka vlue n’rrebelim.
E kam ndi përcëllimin tand,
zjarrminë që të ka përvlue.
E gota uji kam rrzue,
n’pavetdije,
si me dashtë me fikë zjerrm,
e me amëltue idhnime vullkanesh.
E kam ndie përherë,
kur toka nën kambën tande,
asht dridhe padrejtësisht.
Ta di inatin,
ta di idhnimin,
paj e zeza unë kam heshtë,
dhe pse shekuj drite larg,
dhe pse rrugët t’thyme pafund mes nesh.
E kam ndi kur je rrzue vetmish,
e grushtat ke gjaku,
tuj i përplas muresh.
Ulëret, se lotët t’janë sos.
Ta kanë vjedhë shpirtin sot,
e ndi,
të kanë nëpërkamb hajnitë,
i kanë ba nota gzimi,
fjalët e tua t’trishta.
Ta kanë tjetërsue shpirtin.
Kjaj, kjaj,
e mjera unë për ty!

Ajo grueja tjetër

Unë, ajo gruaja tjetër!
Ajo – që nuk kisha dasht me lind femën,
që edhe pse vet më ngjizën, u trishtuan pse linda vajzë.
Ajo – që lindi jo prej dashnisë, por prej mospërmbajtjes.
Ajo – që derisa m’erdh rradha, u pakësue qumështi në gjinin e nanës.
Ajo – që tuj u rritë, të mdhenjtë ia çuen gishtin e thanë “mos” gjithkund!
Unë, ajo tjetra, që guxova të mos jem hera e parë e asnji burri,
që s’isha tip vajze, derisa njoha dashninë në sytë e nji djali.
Ajo – që kur i humba ato sy nuk besova në asgja tjetër ma.
Ajo – që theva kanune dhe lashë të fejuemin që m’a zgjodhën.
Ajo – që tuj mos pasë përvojë, nuk dita me zgjedhë mirë babën e fëmijve.
Ajo – që hapa qypin mbrapsht e mjalti u menderos.
Ajo – që u dhunova, u nxiva, u përgjunja pamundësisht.
Ajo!
Shtratit tem bashkëshortor i vjen era alkol e xhelozi.
Unë, ajo tjetra, që kur guxova me përfolë dhunën më fyen,
më përcollën me fjalët “Kena me t’mbrojtë…”.
M’lán me u vra.
Ajo – që nuk më falën fëmijët pse i riktheva në vatrën ku u rritën pa dashni.
Ajo – që vuejta urinë, skamjen, të ftohtin n’duer e shpirt.
Ajo – që heshtja përvujshëm kur ulërimën kisha n’çdo qelizë.
Unë, ajo grueja, që u nisa me ia vu vet majën mullarit-jetë.
M’rikthyen bijtë!
Unë gruaja, që nuk u shkollova, jo se s’dita,
por se gjana të tjera ishin ma t’mëdha se diploma.
Ajo grueja, që desht pesë minuta pushim për veten e kurrë s’i pat.
Ajo që u thinj para se me u plakë, tuj mbajtë ma shumë se peshën e shtatit.
Unë – grueja model nënshtrimi për fëmijët e mi,
që model pata nji nanë, që vujti si unë.
Unë, grueja, që kur u bana ‘Kalë Troje’ e ndyva veten ma shumë.
Unë, ajo grueja tjetër, që jetova femnën se s’dita me u ba luaneshë,
që botës i erdha se ashtu duhej e jo se deshta.
Trembem me qenë gjithçka!
Ajo femna tjetër, që s’mundet me festue pikërisht pse është femër.
Unë, ajo tjetra, Sizifi i çdo kohe: femën!
S’jam heroinë, nuk muj!

U frig shpirti

M’ka ra shpirti n’sy sot,
duel për pak n’cepa të synit me u flladitë.
E qerpiku nalt tutej me u mshel,
tutej me rrzue shpirtin ul përball!
A lahet ujët me ujë?
Po shpirti a verbohet kur zemrash mbyllet?
Paj… m’u dhimbtën sot sytë,
u frigën,
se shpirti n’to sot po mytet.

N’asht e n’mish

Hej, si po ndihesh,
ti idhnak tash pa mue?
Kryt e fortë n’dashni,
ta ban copash ç’ka me durim e bane.
Çdo kështjellë, edhe n’gur ngritun,
mnia ta han themelesh,
ta ban dhé e pluhun e ta rrëzon ndër kamb.
Hej!
Mos fol ma, shuj!
Je metun vetëm,
nuk asht ka t’ndn ma askush.
Vetmia asht e randë,
ani nëse je i ri…
ani nëse je plak…
nji dru nuk e dhez n’flak asnji oxhak.
Unë paj njaty rrotull teje sillem,
akolla n’bedena t’kshtjellës tande,
tuj hangër vedin si kali n’lamë,
tym t ‘bardhë po pres,
a mos del k’saj ane.
Inati yt nuk t’len me pa,
afër e larg, veç hundës tande.
Paj… po pres dhe do dekika,
n’kët shi, ngjymun n’gri.
E n’nadje ta dish,
kur dielli ka me rrzue,
n’hon do l’shoj ç’ka shpirti don me rrzue.
Hej… t’deshta fort, n’asht e n’mish..!

Autori
Natasha Duriçi

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *