Kalendari
Ditët, si netët, shkojnë vjedhurazi.
Më tremb koha e shkuar,
kur ti mungon, malli im,
s’përdor dot gomë, për të t’afruar.
Nëse
Nëse më kërkon
e askund s’më gjen,
kjo do të thotë
se jam një poemë.
Nëse më prek,
si dikur në ëndërr,
thjesht do të kuptosh
se ndjenja s’ka emër…
Nëse, nëse…
Oh, krejt marrina të çastit!
Kurrë s’i kam besuar,
letrës edhe lapsit.
Kur dashuron
humbet hapësira, zemër.
Unë bëhem b(m)uzë.
ti etje pa emër.
Nuk di ç’më ndezi,
ç’kërkoj këtë natë.
Ndihem vullkan i shuar,
llavë malli i ngratë.
Pendueshëm
Ajo që pishman
më mbetet nga kjo botë,
është se të desha
aq sa s’të urreva dot!
Mëkatari
Të ndodh të ngresh dolli në heshtje,
më pas t’i lutesh gotës së zbrazur?
Me po atë shurdhësi të mendosh,
atë çka dje pa ndroje ke flakur?
Mos thuaj, s’të ndodh,
kurrkush s’ka për të besuar.
As dhimbja që mban në shpirt,
as gota zbrazur në duar…
Ktheje sërish!
Përmbyse gotën, i uruar, pa leje,
nuk është jetë,
kur mëkat s’ke në deje.
Mungesat
Atje ku është dielli,
mungon ti,
atje ku je ti,
mungon
malli…
Venecia
Në gondolat e vjetra
vozisnim ëndrrash;
unë dhe largimi në mes.
Dashuria ime, si Venecia,
si zonja që po vdes.







Be First to Comment