Press "Enter" to skip to content

Mjafton që je!

Mjafton që je!

Dhomëza ku rrihnin më parë dy zemra
Sonte ngushtë po m’rri shtatit t’fjalëve të pathëna.

Dal vetes
Vesh hapat e tu dhe rrugës nga shkove
Vij…

Kollitet thatë dhe mbytur qielli i gjysmëhënës sonte
Por
Ka ditë që shirat s’duken këtej pari…

Parku fle nën puthjet e një stine të shkuar
vetëm dje.

Toka kërcet nën këmbë
Si rënkim sysh i një gruaje që i rishkel besimin e ngjitur me puthje…

Ngrica priten të vijnë këtë natë.

Ndërkohë lumi midis nesh kërkon shtratin e tij

Mua
Më mjafton që je!

Të njëjtë

Gjithçka e njëjtë ka mbetur pas
Në shuall të kohës
që sot ish’ dje,
Vetes i afrohet ajo pak nga pak
Si pak nga pak më larg shkojmë ne…

Mëngjes’shëm

Mëngjes’shëm zbret meje
Me një ylber zgjime ujërash pranverore…

Në mollëza puthjesh mbledh copëza të hutuara ti-sh.

E dëgjon
Shushurimën e dallgëve të gjakut tim
Brigjeve t’trupit t’rreshkur n’diej pritjesh?

Nga varkat ngarkuar heshtje
Zgjidh te parën.
(Të tjerat do të të kuptojnë gjithsesi)

Mëngjes’shëm
Teje mblidhmë n’grimca drite,
Dhe
Puthjesh mbillmë në fjalë
Dashurisht.

Prej kur s’jemi pranë

Heshtja m’u mek
Pezull n’fije të ajrit
E dergjet nën ethe sysh të mardhura unësh.

Ngjyrat e pendimit janë si një mëngjes passhiu dimri në ishull:
Të lagështa
Të njelmëta
Dritëftohta.
Bosh!

Zëra buzëqeshjesh
Vijnë e përplasen reve në lëvizje qiellit që këmbëngul
t’na ndaj në dy gjysma të plota.

Ishte dje!

Është pothuajse sot…

Nesër?

Një gjë e di me siguri dielli.
Përgjigjet e mia prehen aty mes flokëve të tu!

Frymëmarrje mbrëmjeje

Një nga një kalova në fillin e ajërt të frymëmarrjes gjithë pritjet
Si gjerdan për gushën e pragmbrëmjes…
Rruazat e pritjes shtyjnë njëra-tjetrën
Tingujt e tyre zgjojnë agimet e fjetura brenda meje…
Ti nanuris heshtjet në faqen e ngrirë të hënës…
Fli ëmbël lamtumira ime!

Autori
Mercedes Gega