M’u mbush mendja se kisha vdekur ditën e shtunë
dhe mendova: duhet të shkruaj testamentin,
çfarëdo qoftë
por, nuk gjeta asgjë…
Atëherë thashë me vete: po thërras ndonjë mik
t’i tregoj se kam vdekur,
por nuk gjeta askënd…
Mendova: po shkoj te varri
që ta mbush,
por humba rrugën
dhe varri mbeti bosh, pa mua.
Në mendje më erdhi të shlyeja ndonjë detyrim të fundit
ja, po shkruaj diçka,
por në vend të bojës rrodhi ujë…
Thashë: patjetër që duhej të bëj diçka,
këtu dhe tani,
por asgjë që i shkonte për shtat një të vdekuri
nuk më erdhi ndërmend.
Ulërita fort:
Vdekja qenka pa pikën e kuptimit
absurditet dhe kaos!
Nuk më besohej se kisha vdekur plotësisht,
mbase isha diku mes jetës e vdekjes,
mbase isha një i vdekur në pension,
i cili po kalonte pushimet e shkurtra në këtë botë.
Përktheu: Elmaz Fida