Antiteza
1.
Apoloni me Dionisin
dy Zotat grinden;
në pjesën e pasme të trurit,
po ndërtojnë një pallat.
I pari hedh themelet,
i dyti ngre tavanin,
por ndaj lutjeve të mia,
janë të dy të shurdhër.
Të papërshtatshme materialet
dhe ndërtesa lëkundet.
As instikti e as logjika,
nuk e mbajnë ngrehinën.
Një fat i keq e koriti,
si pallatet mbi rërë.
Kohën që parakaloi,
rend të arrij,
por në fund të çdo kohe,
rend për ndihmë vetmia.
Portën e së panjohurës,
puth e për të kujdeset.
2.
Krijesa të zjarrit jemi,
nën dritën e pamëshirshme të njohjes,
subjekte
që pijmë
spermën e rrezikut,
duke lëvizur mbi një trajektore,
ciklikisht drejt djegies.
Ndërkohë,
si lypës të përulur
ngërthehemi pas artit,
që të kryejë
“atë, që natyra s’arrin dot të bëjë”.*
*Shprehje e shkëputur nga vepra e Aristotelit “Të natyrshmet”.
Shenja pikësimi
Të pavargëzuara tashmë vargjet.
Humbën, siç e sheh, edhe pikësimin fillestar.
Të ligështuara shenjat,
nga mësymja e rezultatit të pritur.
Dështuan reticencat,
përderisa mbizotëroi vetë heshtja.
Ndërruan jetë pikëçuditëset,
përderisa u rrënuan
gjithë çudibërjet.
U largua edhe presja,
përderisa s’ka më copëza, që të lidhë.
Përfundimisht, as pika në fund s’urdhëron dot fundin,
përderisa fundi ka ardhur më herët.
Mbeti – pavendosmërisht – kllapa,
të përmbyllë (pa dhënë zgjidhje)
të shkuarën e lavdishme të shenjave
të pikësimit,
edhe dorëheqjen.
Damarë
Damarët kanë jetën e tyre.
Fryhen brenda duarsh të plogështa
dhe në tëmtha që angështohen
nga mendimet.
Degëzohen, si lumenj të errët,
mbi peizazhe të thata e të zbehta
mishi të ligët.
Pulsojnë, duke u dhënë ritëm,
lëvizjeve të paformësuara e ngurruese.
Përmbledhin substancën e pashqueshme,
në koordinata të lagështa të ekzistencës.
Damarët kanë jetën e tyre.
Përktheu: Eleana Zhako
Maria Patakia lindi në Athinë. Studioi për drejtësi në Athinë dhe Paris, në universitetin “Paris 2”. Ka punuar për shumë vite në Bruksel si këshilltare juridike në Komisionin Europian. Ka qenë kryetarja e shoqatës kulturore greke “Kyklos” në Belgjikë për një kohë të gjatë, ndërsa tani është në pozicionin e sekretares. Ka botuar dy vëllime me poezi, “Hapmatësit” (botimet “Melani”, 2016), “Peshorja e shpirtrave” (“Melani”, 2018) dhe është në botim libri i saj i tretë me poezi “Për dashurinë, si të vetmin demon”, nga e njëjta shtëpi botuese.










Be First to Comment