Ora ishte gjashtë e gjysmë dhe Taqi nuk do të kthehej para dhjetës nga kursi. Heshtja ishte e padurueshme. Edhe Gushgunin e kishte zënë gjumi mbi divan. Ndeza radion, në pritje të Kristinës. “Po iki duke lënë rrënoja mbas vetes…” këndonte zonja Aleksiu. Ndërrova stacion para se të dëgjoja spikerin tek thoshte: “me këtë këngë Aleksi përshëndet Helenën”.
Nga rrënojat, rashë te Gliqeria, të cilës “ia hëngrën unazat të tjerët”, kurse pak më vonë Dhimitra Galani konstatonte se “nuk je këtu, nuk je më në jetën time”. E mbylla radion. Dëshira për cigare m’u kthye më e fortë. Hapa sirtarë e dollape, por Aleksi edhe cigaret i kishte marrë. Me hap të sigurt u drejtova për te dhoma e Taqit. Duke pasur parasysh probabilitetin dhe të dhënat statistikore, sipas të cilave 90% e adoleshentëve pinë duhan fshehtas, iu futa kërkimeve. Pasi gjeta disa Penthouse në një qosh të dollapit, si dhe një kuti me prezervativë – kjo e fundit më tronditi – poshtë dyshekut të tij, në xhepin e djathtë të çantës së shkollës, gjeta më në fund një paketë Camel. Zogu im e kishte filluar nga të rëndat. Vrava mendjen një copë herë, nëse duhej ta qortoja që pinte duhan, por pastaj u kujtova se do të duhej t’i shpjegoja se si e kisha zbuluar diçka të tillë.
Mora një cigare, me shpresën se nuk do t’i kishte me numër. Por edhe po t’i kishte, kurrë nuk do t’i shkonte mendja se mamaja i kishte hyrë në mbretërinë e tij dhe e kishte zhvatur pa i thënë gjë. Me ta thithur një herë, për pak sa nuk pashë zorrët në dysheme. Duke u kollitur hyra në sallon dhe u shemba mbi divan. Gushguni ishte me fat që shpëtoi. Angulliu me bezdi dhe u nis për në kuzhinë. Pjesën tjetër të cigares e piva me njëfarë dinjiteti. Gjendja ime shpirtërore sa vinte e keqësohej.
Kur i hapa derën Kristinës, sytë më kishin marrë atë ngjyrën e kuqe të duhanxhinjve fillestarë.
– Ç’është, Helenë? Pse je kështu?
– Lere mos e pyet. Shkojmë brenda, se ke për të dëgjuar shumë gjëra dhe është mirë t’i dëgjosh ulur. – Shkuam në sallon. U ul dhe rrinte në pritje, duke më vështruar në sy. – Në radhë të parë, kam dy ditë që të kërkoj, ku ishe? – e akuzova unë, ngaqë nuk e kisha pranë gjatë vuajtjeve të mia.
– Kisha një punë jashtë Athinës. Pa thuajmë tani, ç’ka ndodhur? – I shkuan sytë te cigarja e shuar përgjysmë dhe, duke ngritur vetullat, e përsëriti pyetjen: -Ç’ka ndodhur, Helenë?
– Aleksi ka dashnore.
Më hodhi një vështrim, sikur nuk u besonte veshëve. – Ku e di ti?
I kallëzova gjithë ç’kishin ndodhur gjatë dy ditëve të fundit. Që nga ikja e Aleksit, deri te takimi me Nikitën në lokalin e varrezave. Ndërsa unë po i tregoja këto, atë e kapën ca të dridhura të çuditshme tek ndizte Çesterfildët njërin pas tjetrit. Mbarova dhe po prisja reagimin e saj. Por reagimi i saj nuk ishte ai që prisja. Ndërsa unë prisja të fillonte të sharat për Aleksin, ajo ia dha të qarit. Shtanga në vend e përhumbur. Supozohej se kishte ardhur për të më ngushëlluar mua.
– Tjetër kjo tani? Përse qan, moj? – bëra unë kryqin.
– Nuk më besohet kjo që po ndodh! – pëshpëriti mes ngashërimeve. Rrija dhe e vështroja, ngaqë nuk dija ç’të bëja tjetër.
– Nëse ti, që je grua e fortë, reagon në këtë mënyrë, atëherë mua ç’më mbetet të bëj? T’i vë flakën vetes?
Fshiu sytë dhe më kapi nga supet.
– Helenë, dëgjo mua. Lere që tani! Je martuar me një trap!
– Me sa duket, po. Po ti ç’pate kështu? – belbëzova, duke mos mundur ta përfshija sjelljen e saj brenda ndonjë kuadri të logjikshëm.
– Kam lidhje me Aleksin që prej një viti.
– Ç’kuptim ka kjo, kam lidhje me Aleksin që prej një viti? – e përsërita unë fjalinë si idiote, a thua se përsëritja do t’i ndryshonte kuptimin.
– Dua të them se flemë bashkë. – M’i lëshoi supet dhe e hodhi vështrimin gjetkë.
Kjo ishte ç’ishte. Kishte oreks për t’u tallur, në një kohë kur vërtetohej frika ime më e tmerrshme. Dëshira e saj për të më ndihmuar që të merrja vendime të prera, më krijoi një buzëqeshje të hidhur.
– Lëri shakatë! Ndiej aq urrejtje ndaj tij, saqë, për ta hequr krejt nga mendja, nuk është nevoja të më thuash gjëra të tilla.
Psherëtiu e lodhur:
– Nuk bëj shaka.
Sistemiim mendor bëri qark të shkurtër. Shpeshtova frymëmarrjen, duke u përpjekur të mbushja mushkëritë me ajër. Më dukej sikur isha në ëndërr. Tensioni dhe ankthi i gjithë atyre viteve më kishin dëmtuar së tepërmi. Fantazia ime e sëmurë e kishte bërë shoqen time të thoshte gjëra që në të vërtetë nuk i kishte nxjerrë nga goja. Patjetër që isha në ëndërr. Pas pak do të shfaqej edhe Taqi për të më bërë të ditur se do të shkonte në Kazablanka dhe do të ndryshonte seksin, për t’u martuar me të dashurin e tij.
Buzëqesha si e lajthitur. I ngula sytë shtatëpikaloshes përfund varëses së florinjtë që kishte Kristina në qafë. Diku duhej të kisha edhe unë një të tillë. Dikur na kishte falur nga një për Pashkë nëna e saj.
Mora prapë zemër. Gjersa po u kushtoja vëmendje hollësive të këtilla, dialogu i mësipërm, me sa duket, nuk ishte bërë. Përndryshe, si mund të isha aq e qetë? Në vend që të vëzhgoja shtatëpikaloshet në varëse të florinjta, duhej të kisha flakur Kristinën nga dritarja.
– Siç të thashë, rastësisht e kuptova që më tradhton… – e zura bisedën aty ku e kisha lënë para se të ngatërrohesha nëpër lojërat e këqija të fantazisë. Ajo tundi kokën nga e majta në të djathtë.
– Mjaft, Helenë. Nuk ka vlerë të bësh sikur nuk dëgjove, – bërtiti ajo.
– Ik, – pëshpërita unë. Ndihesha e lodhur. Shumë e lodhur. Papritur këmbët nuk më mbanin më. Sikur Aleksi të më tradhtonte me çfarëdolloj femre tjetër, edhe mund ta gëlltisja. Tekefundit, kjo ishte skena që përfytyroja mes dyshimeve të mia. Por në fytyrën e femrës që i kishte marrë mendjen tim shoqi, asnjëherë nuk kisha pikasur Kristinën. Si mund ta duroja tradhtinë e shoqes sime më të mirë?
Si e bëre këtë? Pak burra ka bota! Timin gjete të rrëmbeje?
I hodha një vështrim të egër dhe e urdhërova prapë të dilte jashtë.
– Dëgjomë një herë dhe pastaj do të iki, – m’u lut ajo.
– Çdo gjë që të më thuash, nuk më intereson, – fillova të humbisja kontrollin.
– E dija që shpejt a vonë do të ndodhte kjo që ndodhi. Nuk doja ta humbnim shoqërinë e gjithë këtyre viteve, por Aleksi m’u vardis pak kohë pasi isha ndarë, në një periudhë që isha shumë e dobët. Më përforcoi egoizmin e përdhosur, duke më thënë se më donte qysh nga koha kur ishim njohur, por unë atëherë e kisha me shokun e tij më të ngushtë dhe nuk mund të hynte midis nesh.
O Zot, ç’po më thotë kështu? Aleksi e donte kaq vite dhe unë as që kisha marrë vesh gjë?
– Kurse ti e harrove shoqërinë tonë, kur nxirrje sytë me të?
– Besomë, e refuzova për shumë kohë. Por ndihesha e dërrmuar nga tradhtitë e Filipit. Aleksi më bombardoi me lule, letra, dhurata, në një kohë kur unë njihja vetëm braktisjen dhe tradhtinë.
– Mua më dukeshe si kokrra e mollës kur u ndave? Nga ta dija se për këtë ishte përgjegjës Aleksi? – Filluan të më merreshin mendtë.
– Nuk u lidhëm në kohën kur po merrja divorcin. Hiqesha si e qetë para gjithë njerëzve, se kështu isha mësuar që e vogël. Të mos më shkelin burrat me këmbë. Filipi më ndryshoi në këtë pikë, por unë nuk doja ta pohoja një gjë të tillë. Kalova një periudhë të gjatë duke qarë në heshtje dhe, në të njëjtën kohë, më vardisej edhe Aleksi. Më ishte neveritur me atë që bënte…
– Pa mendo sikur mos të të ishte neveritur. – Dhoma filloi të sillej vërdallë. Me zor mbahesha në këmbë.
Po ato përrallat se nuk kishte shkuar me askënd tjetër… Se, po të ndodhte një gjë e tillë, unë do ta mësoja e para…
– Më thoshte se shkaktar ishte fakti që mbete shtatzënë me të mbaruar shkollën dhe pastaj u martuat menjëherë. Se gjërat do të ishin ndryshe po të kishte parë jetën e tij. Një mbrëmje që i diskutonim këto gjëra duke pirë verë në shtëpinë time, u dehëm, dhe atje filloi historia. Kisha kohë që i kisha thënë t’i ndërprisnim marrëdhëniet para se të ndodhte ndonjë gjë e pakorrigjueshme. E shikoja që vuaje dhe më çmendte mendimi se ne luanim me ty pas shpine. Ai arriti deri atje sa më kërcënoi, se po të shkëpusnim marrëdhëniet, do të vinte të t’i thoshte ty të gjitha. Ndodhesha brenda një rrethi vicioz. Ti më hapje zemrën e më thoshe dyshimet që të brenin dhe unë të shtyja ta ndaje, që të shpëtonim të dyja nga kjo histori”.
Sa qesharake kam qenë, o Zot! I flisja për dashnoren e mundshme të tim shoqi shoqes sime më të ngushtë, e cila ishte dora vetë dashnorja e tim shoqi!
U shemba mbi divan, duke mbuluar fytyrën me duar. Nuk doja të më shikonte as lëvizjen më të vogël të muskujve. Doja të rrija vetëm.
– Të lutem, ik tani, para se ta perceptoj gjithë të keqen që më ke bërë.
– Do të iki, por mendo që mund të mos kishe mësuar asgjë për mua. Por sakrifikova shoqërinë tonë, që ti të kuptosh se Aleksi është njëlloj si Filipi dhe si gjithë burrat e tjerë. Mendohet vetëm me kokën e poshtme, duke mos e vrarë mendjen për dëmin që u bën të afërmve. Duhej të të çeleshin sytë një ditë.
– Dhe këtë e more ti përsipër, duke shkuar me burrin tim! – fillova ta ngrija zërin kërcënueshëm. – Shporru këtej! Mos të t’i shoh më sytë! – klitha. – Uroj që këtë moment të pallojë ndonjë tjetër. Nuk m’i nxinte goja këto fjalë, por tani e uroj me gjithë shpirt.
Më ktheu shpinën dhe iu drejtua portës. Në çastin që po e hapte, e ndalova.
– Prit një minutë. – Shkova në dhomën e gjumit dhe hapa një dollap me kapele. Nuk vonova të gjeja atë që kërkoja. U ktheva te Kristina, që nuk kishte lëvizur nga porta. – Merre këtë. – I dhashë një kapele bejsbolli, që ma kishte sjellë para shumë vitesh nga Amerika. Mbi të ishin qëndisur fjalët: Më la burri për shoqen më të ngushtë dhe më ka marrë malli për bushtrën. – Këto fjalë ishin profetike, veç jo deri në fund. Për ty nuk ka për të më marrë malli kurrë.
I ktheva shpinën dhe, sapo dëgjova që u mbyll porta e ashensorit, ia dhashë të qarës me kuje. Nuk mbaja mend se si u gjenda në krevat dhe as se sa orë kisha që qaja. Vetëm Taqin mbaj mend, i cili më shkundi dikur dhe dëgjova si nëpër ëndërr një notë paniku në zërin e tij:
– Mama, çfarë ke? Ç’ka ngjarë? Mos ndodhi gjë me babain?
U përpoqa të hapja sytë, por enjtja m’i mbante mbyllur me ngulm.
Edhe përpjekja që bëra për të folur doli gjithashtu e kotë. Nxora një si hungërimë, që e tronditi djalin.
– Mama, do të marr në telefon shoqen tënde, Kristinën. Nuk vonohem.
Emri i saj funksionoi si barot. Brofa përpjetë nga shtrati dhe e mbërtheva nga dora:
– Taqi, prit. Mos e merr në telefon. Do të ngrihem.
Vështrimi i tij ishte një përzierje lumturie, që u ringjalla, dhe habie, që reagova në atë mënyrë pas fjalëve të tij.
– U grinde me Kristinën?
U ula prapë rëndshëm mbi krevat, pa mundur të vendosja se ç’do t’i thosha. T’i kallëzoja turpet e të atit dhe të uroja të reagonte me gjakftohtësi apo t’i trilloja ndonjë gjë tjetër?
– Më fal, bir, që të prisha gjakun. Rri gjithë kohën vetëm këtu brenda dhe ç’nuk kaloj nëpër mend…
– Prandaj thashë t’i telefonoj shoqes sate, që të të japë zemër, – nguli këmbë ai.
Buzëqesha hidhur. Ajo më kishte dhënë zemër më shumë nga ç’prisja. U ngrita nga krevati dhe përqafova Taqin. Më shtrëngoi dhe ai si i mpirë; ledhatimet e shumta e bënin të ndihej keq. E lashë dhe i thashë t’i bëja ndonjë gjë për të ngrënë.
– Mos çaj kokë, unë hëngra tani që kthehesha nga kursi. Shiko të hash për vete ndonjë gjë.
– Sa qenka ora kështu? – U habita kur më tha se kishte kaluar nga njëmbëdhjetë. I thashë të mos shqetësohej, se diç do të haja.
– Shpresoj të mos e kesh fjalën për ndonjë plumb, – tha ai gjysmë seriozisht gjysmë me të qeshur. Me të njëjtin ton ia ktheva se, për mungesë hekuri, do të preferoja më mirë thjerrëzat. Më tha “natën e mirë” dhe shkoi në dhomën e tij. Ndenja në pritje për të dëgjuar kërcitjen karakteristike të portës, por për herë të parë pas kaq vitesh fortesa e pakalueshme e Taqit mbeti e hapur.
U futa në banjë për një dush të shpejtë, por uji i ngrohtë që më mbështolli trupin si ngushëllim, nuk më linte të largohesha nga dhembshuria e vaskës. Rubinetin e mbylla vetëm kur mendova se Taqi do të sulej në banjë, ngaqë do të pandehte se kisha marrë barbiturikë dhe dergjesha e vdekur mbi pllaka.
Ora mbi murin e kuzhinës thoshte dy, kur omëletën e paprekur e hodha në koshin e mbeturinave. E mbulova me nja dy-tri peceta letre, në mënyrë që të mos kuptonte gjë Taqi në mëngjes që nuk kisha vënë kafshatë në gojë. Në gjithë fatkeqësinë që më kishte pushtuar, ishte ngushëllues fakti që të paktën nuk ma kishte kthyer edhe ai shpinën; përkundrazi, më linte të kuptoja se përpiqej të më rrinte pranë. Shtrirë në krevat, solla prapë ndërmend ngjarjet e ditëve të fundit. Kush vallë më kishte mallkuar, që kaloja një llahtarë të tillë? Dhe nëse është e vërtetë ajo që thonë, se “këtu paguhen të gjitha”, ç’mëkat tjetër kisha bërë unë, përveçse kisha fshehur në deklaratën e të ardhurave qiratë që merrja nga dy shtëpi?
Mbylla sytë dhe i shtrëngova fort, duke u përpjekur të mendoja për gjëra të këndshme. Në muzeun e torturave, në Amsterdam, ndodhej edhe e ashtuquajtura “kapë e drunjtë”, e sajuar nga trungu i pemëve, e cila u ngarkohej në shpinë prostitutave, kur i nxirrnin në sheshin e qytetit. Vetëm kjo i mungonte garderobës së Kristinës. Me këtë kostumologji në mendje, më zuri gjumi.
Përktheu: Niko Kacalidha
Maira Papathanasopulu lindi në Athinë, më 1967-n.
Studioi për filologji gjermane dhe punon si përkthyese. “Juda puthte mrekullisht” është romani i saj i parë, botuar më 1998. Ky roman njohu një sukses të pa kapur më parë nga roman tjetër gjatë gjithë dhjetëvjeçarit. Ndërkohë, u përkthye dhe u botua në 15 gjuhë të huaja. Veç kësaj, me skenar të bazuar në këtë roman, televizioni grek realizoi një nga serialet më të ndjekur të të gjitha kohërave. Maira Papathanasopulu ka botuar gjithashtu edhe romanet “Lidhjet e athëta të botës mashkullore” në vitin 2000, “Pushteti im i ëmbël” më 2004-n, si dhe dy libra të ilustruar për fëmijë.











Be First to Comment