Shtëpia e letërsisë shqipe

, ,

Lule bore në rrgajë – cikël poetik

 

Lule bore në rrgajë¹

Në majën e tij një kreshtë rrotull harkon,
E maja thellohet teposhtë në rrgajën zhuritun,
Po derdhet si qumështi në breg hana trishtuese…

Nën bredhin e ri është ulë burimi, në sy
Qerpik e n’buzë praron pa nda rankimi,
E mbetun i vetëm, si lodër kalon udhëtari.

Errsinës i bie përtokë era kumbuese,
Mes ahut, lisit dhe gurit fryma e barit urtohet
Udhëtari ndalon e përkundet me tokën e zezë.

E zbardh pak hanë mes rrugës, e mali ofshan
Pa frymë mbetet krahanori mbulue me bar,
Me gjethe, krand e lule bore në rrgajë.

 

Korbi

– Andërr e pambarueme –

Tani nuk mundem të flas, kam mbetë;
Veçan në kullë i murosun.
Rreth agut më vjen një krrokamë,
E Korbit pend-pispillosun.

– Zotni Korb,
Ju lutem kini mirësinë,
Tek dera ka një kuti,
Lëne aty porosinë.

– Zotni – tha Korbi pend’zi,
Me za të fortë e idhnak.
– Në kullë pse rri i murosun,
Pa miq e shokë në konak?

– Zotni Korb,
Më ndjeni për zanin e mekun,
Të tretun gurëve t’përhimtë,
Atje përtej ku kryqëzohet,
Dita me natën e dlirtë,

Kam humbë tan’ shpresën e mirë,
Të fundit që kisha për t’pi.
Tash kam mbetë i murosun,
Në Kullën e nakatosun.

– Zotni – tha Korbi idhnak,
Prej rrasës gurit n’kapak,
– Nuk ka as shej’, as kuti
Veç gurë e dhe t’zi.

– Zotni Korb – i mblodha fuqitë,
– Të lutem mos u mërzit,
Përtej në Rrgajën e rrallë,
Ku malet çohen valë-valë,

E pllajat ofshajnë prej lumnie,
E lisat harbojnë prej dashnie
Ku toka mbarset prej diellit,
E era i qeshet dishirit.

 

Pylli i frikës

Pa dashtë u hutova rrugëve të rrejshme,
Që gjarpnojnë mes lisit e ahut.
Deri në breg të prronit ku kanë mbi,
Dëllinjat e zeza.

Ky asht Prroni i Lakut,
Që s’dihet ku buron, e bregut
Ka gurë të lëmuet e trofta të egra.

Nuk deshta me u ndalë,
Kur huti në mjegull ia dha kangës
E qyqja kukamës.

Asnjë bylbyl, as zog në shpatin me lisa,
Nuk gjendej.

Veç Hana me pak dritë,
Notonte mes reve,
E zhytun në trishtim.

 

Ujku i përhimtë

Mjegulla i ra malit përmidis,
Si pëlhur e lagtë.
Ka tre muej që lisat kanë ra n’gjumë
E dremisin andrra me blerim.

Zogj nuk ka, as bubrreca n’tokë,
Veç kaproj e ujq t’untë
Në mbijetesë.

Hana u fsheh mbas reve sa filloi beteja,
Se nuk mundi me i pa
Sytë e kaprollës s’re.

Sonte edhe unë u bana ujk,
I përhimtë
E nisa me gjujtë për kaprolla.

 

Hajde t’dalim te Suka

Suka është një kodër e vogël,
Ma e madhja në Kalishta
Prej aty mundesh me pa frymën.

Fryma që vjen prej lumës ngjitet përpjetë,
Rrotullohet dushqeve te Qafa e Laknave,
E ngjitet në majë të Sukës,
Aty rri pezull e ndalet.

Ndalet, por aty nuk ndalet,
Se vjen fryma tjetër prej malit,
Duke fishkëllye te streha e kullës.

Kulla rri e heshtur përballë Sukës,
E mërzitun, e lodhun prej vetmisë.
Me mollët e pakrasituna përqark.

Përqark greza i ka shtri lozët,
Është përzie me ferra, dredhëza e hithra,
Veç fryma sillet rrotull, pa pushim.

Pa pushim do trica hidhen përpjetë,
Degëve t’reja të manit.
Ku kanë ngritë dy çufrrogje t’vegjël.

T’vegjlit hanë manat e butë,
Ata nuk e njohin macen e fundit,
Që ka jetue n’at shtëpi.

Shtëpia e gurit mbahet hala,
Se është prej guri – e guri
Nuk tretet.


¹ rrgajë – gurë të rrëzuar prej majës së malit

(Shkëputur nga cikli i plotë botuar në Revista Letrare – Verë 2023. Çdo numër të revistës në print e gjeni në Amazon, Barnes & Nobles, në dyqanin tonë online, në “Art’s Library”, bulv. “Zogu I”, Tiranë, por mund ta porositni edhe nëpërmjet faqes sonë FB apo e-mail-it: [email protected] dhe ju vjen në shtëpi në çdo cep të globit)

Autori
Erl Kodra

Mund t’i kombinoni: Kadare poezi, prozë autorë të huaj, Ahmetaj dashuri.