E vetmja gjë që nuk vumë në valixhe ishte blloku i tij i shënimeve. Babai e mbante gjithmonë me vete dhe shkruante. Që ditën e parë të ardhjes këtu e përdori. Atij i ngjanim. Unë shënoja në fletore fjalët e mia, ai në bllok të tijat. Blloku i babit ishte plot shenja pikësimi. Pikëpyetje, retiçenca, viza ndarëse, kllapa, pikëçuditje. Mbizotëronin pikëçuditjet dhe shumë pika të vogla bashkë, çka tregonte që diçka donte të thoshte, por nuk e thoshte. Diku tjetër vendoste asteriskë. Ato i vinte për të zëvendësuar diçka që s’i kujtohej.
Në mëngjes, kur mungonin të gjithë, rrija dhe e shfletoja. Kishte shkrim shumë të bukur babai im. Qartësisht të lexueshëm. Kishte pak fjalë, por me vlerë. “Gëzimi mori shkëlqyeshëm”, shkruante kur i tregoja hartimet dhe i lexoja fjalët e mësueses. Në një faqe tjetër kishte shkruar emrin dhe adresën e hotelit ku punonte nëna “Happy days”, “Εκατό Χουρμαδιές” dhe “Evgjenia është dobësuar”. Diku tjetër kishte shënuar datat e provimeve të motrës sime. “Anatomi 5/6, Patologji 13/6”. “Dritoja vdiq”, shënoi kur mësoi për vdekjen e saj. Në një nga fletët kishte vizatuar një shtëpi, një pemë dhe një anije në det. Vura re se, ditën që nëna shkoi për të pastruar shkollën për herë të parë, kishte shënuar shumë asteriskë. Asgjë tjetër. Kishte mbushur tërë faqen. Sado që kërkova, nuk gjeta asnjë fjalë. Besoj se pas asteriskëve fshihej mërzia e madhe që e kishte kapluar. Dhe nuk i dinte të gjitha. Disa gjëra nuk ia tregonim fare. Ia fshihnim, si të ishte fëmijë i vogël.
Më seriozja që nuk i treguam, ishte ajo me vëllanë. Që thërritën nënën në polici dhe i thanë që e kishte paditur pronari, sepse mungonin lekë nga arka e picerisë.
Asgjë s’u vërtetua. Ama, damka i ngeli. Nëna iu lut pronarit të hotelit. Ia shpjegoi.
“Djali është si unë”, i tha. “Vë dorën në zjarr”.
E morën. Sa për provë.
“Me telashin e parë që do shkaktojë, do e dëbojmë”, i tha.
Kështu, vëllai im filloi punë në “Happy Days”. Hamall. Transportonte arka me pije freskuese nga kamioni në kuzhinë. Ka duar të fuqishme. Ia del mbanë.
Nëna s’i tha askujt. Edhe babait ia fshehëm. Vetëm unë e dija.
“Mjaft telashe ka babai juaj”, tha.
Por ja që babait dukej që nuk i mjaftonin telashet e tij, se gjithë kohës merrej me tonat. Bënte gjëra praktike. E gjenim shtëpinë të pastër dritë. Gjithçka shkëlqente, gjella në tenxhere ishte e ngrohtë, tavolina e shtruar.
“Për nënën tuaj i bëj, që vjen e vdekur”.
Babai, më parë, s’dinte të ziente as një kokërr vezë. Tani dinte gjithçka. U detyrua nga turpi. Na bënte vërejtje se i prishnim rendin e gjërave.
Orët në vazhdim mezi i shtynte nga mërzia. Nuk kalonte koha. Kishte librat e tij, por orët s’kishin të sosur. Hidhte vështrimin larg dhe psherëtinte. Një brengë e mundonte.
Ndonjëherë vinte daja. Sillte edhe kushërirën. Ajo është përshtatur plotësisht. Ka shumë shoqe, vishet me rroba moderne. Me barkun jashtë. Mua më konsideron fshatar dhe mistrec. Kemi vetëm një vit diferencë, por s’puqemi fare. Babai lozte me dajën ndonjë tavëll. Ishte e vetmja orë që babai harrohej disi.
Shpenzimet rriteshin dhe filloi të bënte kursime të mundimshme. Nuk hante më si më parë. Si zog hante.
“Ju të punoni e unë të ha? Ku është parë kjo?”.
Nëna zgjohej herët, pas saj edhe ai. Nuk rrinte të flinte.
“Ti të punosh e unë të fle?”.
S’donte të hante mëngjes. Ia fuste nëna me zor në gojë. Babai e kuptonte që s’shtyhej më kështu. Të gjithë punonin ditë-natë. I vinte turp që rrinte në shtëpi. Dëgjonte dhe nënën që thoshte se duhej të iknim nga kjo vrimë e të jetojmë si njerëz, dhe ndjenja e turpit e shtypte si mal. Desha ta ndihmoja, por s’dija mënyrën.
Përktheu: Eleana Zhako
Romani “Hedh rrënjë” (Kedros, 2016), fragmente të të cilit i prezantohen për herë të parë lexuesit shqiptar, ka si temë historinë e një familjeje shqiptare në Rodos. Frangkeskaki është shkrimtarja e parë greke, kronologjikisht, që ka në qendër të romanit të saj një familje emigrantësh nga Shqipëria. Rrëfimi kryhet nga tri personazhe, dy prindërit dhe djali i vogël. Teknika e rrëfimit bazohet në elementin e retrospektivës. Ky libër do të vijë i plotë në shqip për lexuesit.
Kristina Frangeskaki ka lindur në ishullin Rodos të Greqisë. Ka mbaruar studimet për juridik dhe ka punuar për shumë vite si mësuese në arsimin e mesëm, ku ka dhënë shkenca sociale dhe politike. Është autore e më shumë se shtatë librave për fëmijë dhe të rritur dhe është nderuar me dy çmime: Çmimin shtetëror për letërsinë për fëmijë dhe “Penelopa Maksimu”, të ciklit të librit grek për fëmijë.











Be First to Comment