Press "Enter" to skip to content

Miris; Aleksandria e 340-s

Kumtin e zi kur më dhanë se Miri vdiq,
shkova në shtëpinë e tij, ndonëse s’më pëlqente të hyja
në banesa të krishterësh,
sidomos për trishtime a festa.

Ndenja në korridor. Nuk desha
të hyja më brenda, se ndjeva të afërmit
e të vdekurit si më vështronin,
me habi e pakënaqësi të pamasë.

E mbanin në një dhomë të madhe,
që nga cepi ku isha shihja një çikëz;
qilima të çmuar, enë ari e argjendi.

Qaja në një cep të korridorit
dhe mendoja se pa Mirin, takimet
e udhëtimet tona s’do kishin më vlerë.
Mendoja se më s’do e shihja,
si atëherë kur gdhiheshim bashkë,
netëve të bukura e të përdala,
të gëzojë, të qeshë e të recitojë vargje,
me sensin e tij të përkryer të ritmit grek;
dhe mendova si e humba përgjithmonë
bukurinë e tij, si e humba përgjithmonë
të riun që desha çmendurisht.

Disa plaka pranë meje, pëshpëritnin
për ditën e tij të fundit:
“Me emrin e Krishtit ndër buzë,
në duart e tij mbante një kryq”.
Më vonë, hynë në dhomë katër priftërinj,
me lutje të zellshme e thirrje
i drejtoheshin Jezuit ose Marisë
(fenë e tyre s’e njoh mirë).

E dinim me siguri që Miri ishte i krishterë,
që herën e parë që u njohëm me të,
parvjet kur u fut në shoqërinë tonë.
Jetonte njësoj si ne.
Nga të gjithë më i dhëni pas epsheve qe,
duke shpërndarë gjithë paret qejfeve.
S’çante krye për fjalët e njerëzve,
i gatshëm të kacafytej netëve rrugëve,
kur grupi ynë përplasej me një kundërshtar.
Kurrë nuk e zinte në gojë fenë e tij.
Madje njëherë e ngacmuam
se do ta merrnim me vete në Serapion,
por, tani që e kujtoj, sikur
u bezdis nga ngacmimet tona.
Ah, më ndërmenden edhe dy raste të tjera:
kur blatime po i bënim Poseidonit,
u shkëput nga ne dhe hodhi vështrimin përtej,
ndërsa kur dikush i entuziazmuar tha:
qoftë shoqëria jonë nën mbrojtjen
dhe kujdesin e të madhit
e më të bukurit, hyjit Apollon –
Miri pëshpëriti: “Veç meje”
(pa e dëgjuar të tjerët).

Priftërinjtë luteshin me zë të lartë
për shpirtin e të riut.
Vëreja me sa kujdes e përkushtim
ndiqnin ritualin e tyre,
dhe si përgatitej gjithçka,
për ceremoninë e krishterë të varrimit.
Dhe befas më pushtoi një shqetësim i tjetërsojtë.
Si në ajër ndjeva se Miri po ikte prej meje;
ndjeva si i krishteri u bashkua me të tijët
dhe si bëhesha i huaj, i huaj shumë;
ndjeva një dyshim të më sëmbonte – mos ndoshta,
i marrosur nga pasioni, ende s’e kisha kuptuar,
që gjithnjë kisha qenë një i huaj!
U largova turravrap nga shtëpia e tyre e frikshme,
ika, para se të robërohet e tjetërsohet,
kujtimi i Mirit nga krishtërimi i tyre.

Përktheu: Eleana Zhako

Sot është ditëlindja dhe ditëvdekja e Konstandin Kavafit; lindi më 29 prill të vitit 1863 në Aleksandri të Egjiptit dhe vdiq më 29 prill 1933, në një spital grek të Aleksandrisë. Ka qenë poet, gazetar dhe nëpunës. Stili i tij i veçantë në poezi e rreshtoi mes figurave më të rëndësishme jo vetëm të poezisë greke, por edhe asaj perëndimore.
Kavafi shkroi 154 poezi, ndërsa dhjetëra të tjera i la të paplota ose në nivel skicash. Një vend të madh në poezinë e tij zuri edhe vendlindja, Aleksandria. Gjatë jetës refuzoi vazhdimisht të botonte punët e tij nëpër libra. Parapëlqente t’i publikonte në gazeta dhe revista lokale, ose i printonte dhe ua jepte të interesuarve për lexim. Poezitë e tij më të rëndësishme u shkruan pas vitit të dyzetë të jetës së tij dhe u botuan zyrtarisht dy vjet pas vdekjes së tij.

Autori
Konstandin P. Kavafis
Autori
Eleana Zhako

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *