Vera ka me ardhë
Se vera ka me ardhë
e në shpatullat e kohës-pritje
ka me shkri borën-mall,
që ngrin çdo qelizë të trupit tem
e ringjalljen ndër sy ka me shkrepë.
E unë, gjithmonë, si trumcak në ikje,
kam me hapë krahët për dramca jete,
atje, ku avullia, ma e naltë se unë,
mshehë drandofilet e babës,
e kalldrëmin, stolisun gur më gur,
drejtim i vetëm deri te nana,
që pret me relikte përqafimesh,
varun pritjesh t’gjata,
që dridhen në gushë.
E mallin, do ta vadis te truma,
që hijes së fikut, struket si unë,
për ato dy kokrra, sa për shenj’
që baba ka me m’ruejtë.
E vera ka me ardhë,
e shpirtin ka me ma ndezë,
bash,
kur Shkodrës kam me i ra,
pash m’pash…
Natë vejushë
Natë vejushë
mbulue me kujtime
që struken horizontesh pa shikim,
e brinjët ia hapë qytetit,
nga ofshama e heshtjeve pa mbarim.
Me drita t’mekuna
e shpirtin vlag,
që mbushet shpresash
ndër puse andrrash,
për dy dallgë mall
ma pak.
Natë vejushë
me drita t’mekuna
që kangë qëndisë me lot,
të një gruaje guximtare
që qepë horizonte,
me andrra plot.
Era Shkodër
Kalldrëmi i rrugës teme
paditë xhirot e mallit,
atëherë kur retë e shpirtit
ngarkohen në dhimbje.
E më ka numërue çdo lot
kur shpirtit i kam folë me za,
e hapat kam shpejtue
me ikë kujtimesh,
që jetojnë me mue.
E lulet përbri
ma kanë ngushtue frymëmarrjen,
nga afshi i kundërmimit,
që hapë plagë, si ditët me shi.
E mallin e ngarkoj me erën
në drita vetëtimash flakërue,
bri hanës që mshehet në kodër,
shiun baj mik,
e mandej,
mu, m’vjen era… Shkodër.






