Në parkun e vjetër mbretëror
Në parkun e vjetër mbretëror
Shëtisim të trishtuar, të lodhur
Statujat rrënuar nga koha
Trëndafilat, shkulur nga toka
Dhe pellgu i heshtur, gri
Mbuluar me cipë akulli
Pallati, shembur e rrënuar
Dhe çelësat tani u kanë humbur
Pavilioni ku të dashurit vinin
të fshiheshin, drita mos i shihte,
kyçur si portat, dritaret e kanatat
Si një morg, ku tani shëtisim
Përgjatë shtigjeve gjysmëshkelur
Pushojmë në një stol të gurtë
Të shkuarën ndjejmë të vijë
Njëherësh na mbron e tradhëton
Falje i kërkojmë njëri-tjetrit
Për ‘këdheljen padashje, “faleminderit”.
Gruaja në dritare
Porta s’hapet kurrë. Dritarja është e lartë
aq sa ajo veç sheh tutje në horizont
ku përroi përqafon pyllin në një hark blu
me zogj të kuq dhe një dre i bukur përshkon lëndinën
Asgjë s’di ajo për lojën e jetës e gëzimet atje tej
Sigurisht do jetë aq bukur! Ah, sa i mungon!
Të përqafojë do, por një puthje dot s’e merr
dhe në shpatullën e vet të butë kokën mbështet
Të shkuarën lëre pas
U bë ç’u bë, të shkuarën lëre pas
E kaluara sjell veç dhimbje e trishtim
Mendjen mos e mbaj te çfarë po vjen
E ardhmja ndër mend sjell veç ankth e shqetësim
Ditën hidhu hareshëm në karrige
Natën i ngurtë rëndo mbi shtrat
Hap gojën kur duhet të hash e ushqehesh
Nëse gjumi të zë, mbyll sytë paqtë.
*Shqipëroi Dritan Kiçi









