Dashuri buzë gremine
Bëmë dashuri buzë një gremine.
Në mollëzat e gishtave të tu,
një cermë hëne të prek.
Me ty engjëll jam dashuruar unë,
nata e greminës,
dhe hëna e njohur si hajdute zemrash.
S’di kujt t’ia prishësh!
Gremina të josh me fundin e mistershëm;
gëlltit një copë prej saj.
Hëna të josh me cermën e saj;
gëlltit edhe një copë hëne.
Thua se unë të josh me sekretet e pathëna;
gëlltit një sekret timin.
Më duhet të të shpëtoj;
prej vetes, greminës dhe hënës,
duke të futur në një akuarium shpirti,
të padepërtueshëm prej shumë palë sysh,
se dashuria ha koka…
Krejt malet e mia presin me të ra në gjunjë
Prej gjuhe të mugëtirës së shekujve,
malli i drithërimës së shpirtit prej dashurisë,
vjen në oshëtimë eposesh:
Krejt malet e mia
presin me të ra në gjunjë!
Zor se bëhemi më të huaj në këtë jetë!
Magjia e lëkurës, nënlëkurës,
bën zgjime edhe matanë qiejve.
Nderet frikshëm
si një vel hëne e harlisur,
ku hiret nuk mbulohen
nga qëndisjet e dantellave
me fije yjesh.
Duke u zbardhur e tretur
te frikërat e ditës tënde,
udhëtare e dashurive të pamundura…
E po në jehonë honesh malesh,
në kapërthim hijesh e frymësh,
furtunave mpleksur qiellit,
ndihet nga skaji tjetër i tejbotës e tejkohës:
Ti di ta përjetosh mallin e dashnisë, si hyjni…
Rrugëtim
… së pari fillohet nga shpirti,
pastaj nga lëkura, nga…
Krejt ngadalë, si nëpër mjegull,
butë dhe ëndërrueshëm…
Rruga për në qendër të botës
kalon nga era…
Përgatiti për botim Shqipto.com


