Press "Enter" to skip to content

Rafaelo

Në mëhallën time, te Sheshi i Zotërisë në Firence, njëdizaj m’u paraqit një burrë i kërrusur, me mjekër ngjyrë hiri. Mbante një kapele të shqyer e të rrëgjuar, por me prerje të kohës, një redingotë të sajuar pa masa dhe të përdorur, që në mungesë të jelekut ishte kopsitur deri në grykë; poshtë vishte një palë pantallona bojëbari, të kadifenjta e të dala mode.
Mënyra se si hyri e më përshëndeti, më bëri të mendoja se kërkonte të më ofronte diçka të pazakontë. Ndoshta ndonjë abone teatri, ndonjë libër të lashtë, ndoshta një vilë me qira në kodër, një biçikletë apo një kalë. U ngrefosa dhe e pyeta se çfarë kërkonte. Atëherë nxori ngadalë nga xhaketa e bollshme një kuti ngjyrë gri, shpështolli disa metra fill dhe hoqi nga mbështjella një kartë, që ma paraqiti me madhështi, si ai që ushqen shpresa të mëdha. Ja dialogu që vijoi:
Unë: Çfarë është?
Ai: Një Rafaelo. Një vizatim i Rafaelos. Oh, zotëri, vështroje, mahnitu! Dy vogëlushë, të bukur e të pastër, dy vogëlushë tepër të këndshëm! Shiko! Shiko!
Unë: Nga e di ti që është i Rafaelos?
Ai: Oh, dyshoni? Duhet të më besoni, është tamam e tij, e ka vizatuar Rafaelo me dorën e vet hyjnore. Kushdo që ia ka haberin, e kupton. Një piktor që rri me qira tek unë, më ka bërë be e rrufe për këtë. Është i skamur, zotëri, përndryshe do të më kishte dhënë me shumë dëshirë njëqind lira për ta shtënë në dorë.
Unë: Njëqind? Ju jeni i marrë.
Ai: Bëni shaka. Në të vërtetë më ka thënë se mund ta shisja edhe për shtatëdhjetë e pesë, megjithëse vlen tre herë aq. Është Rafaelo!
Unë: Rafaelo ka jetuar katërqind vjet më parë. Karta juaj më së shumti është njëqind e pesëdhjetë vjeçare, për sa duket. Gjithsesi, nuk është e Rafaelos.
Ai: (më sheh me pamje qortuese).
Unë: Po, nuk i hyn në punë askujt. Tregojani këtë kartë një profesori, do t’ju përqeshë.
Ai: Po, profesorët! Ju merrkeni vesh, nuk mund të gënjeheni! Po sikur të jetë e ndonjë nxënësi të Rafaelos së madh? Ose e Peruxhinos?
Unë: Ja, pra, karta po na dilka më e vjetër. Pas pak do të betoheni se është e Xhiotos.
Ai: Xhioto? Mjeshtri i madh! Ka ndërtuar kambanoren! Me të vërtetë, më jepni pesëdhjetë lira.
Unë: Jo, nuk dua ta blej.
Ai: Nuk doni ta blini? Por ju thatë…
Unë: Çfarë thashë?
Ai: Kujtova se ju pëlqeu. Dyzet lira?
Unë: Mos ngul këmbë, po humbet kohën kot. Nuk e dua atë vizatim, dhe sikur të ma shiste dikush tjetër, gjithë-gjithë do t’i jepja pesë lira.
Ai: Pesë lira? A dëgjova mirë? O Zoti ynë, ju doni të talleni me plakun e gjorë. Jam gjashtëdhjetë e pesë vjeç. Pesë lira! Për një Rafaelo!
Unë: Atëherë, lamtumirë! Bëji një kornizë Rafaelos tënd dhe shikoje tërë ditën!
Ai: Vërtet, nuk mund të reshtësh së vështruari. Zot, çfarë doçke ky fëmijë! Vetëm ato duar vlejnë njëzet franga. Atëherë, le ta lëmë njëzet e pesë dhe mos ta zëmë më në gojë!
Unë: Ik tani, se nuk kam kohë të tepërt!
Ai: Pesëmbëdhjetë?
Unë: (bëj shenjë për jo, i dëshpëruar).
Ai: Shën Mëri, vërtet duhet ta dhuroj këtë vizatim madhështor për dhjetë lira? Dhjetë! Urimet e mia zotëri, një Rafaelo për dhjetë lira!
Unë: Mjaft! Të thashë jo. Ik tani!
Ai: Ju jeni i pashpirt! Atëherë gjashtë lira.
Unë: Jo. Dil jashtë!
Ai: Jo, atëherë pesë! (Një psherëtimë e thellë).
Unë: O Perëndi, më lër të qetë. Nuk dua dhurata.
Ai: Hë pra. Më parë më the pesë lira. Ja, po e lë me gjithë kuti. Pesë lira.

E hëngra. Në Toskanë, ku gjithçka kushton shumë pak, pesë lira vlejnë sa një pasuri. Mund të kisha kaluar një ditë të mrekullueshme. Ndërsa tani zotëroj këtë kopje mjerane shkollore të Rafaelos, që edhe sot më ngjeth mishtë kur e shoh.

Përktheu Erion Kristo

Autori
Herman Hesse
Autori
Erion Kristo

Be First to Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *