Dergjet mbi bar Abeli i vrarë,
vëllai Kain e braktis dhe shkon.
Vjen një zog, ngjyen sqepin më parë
në gjak, tmerrohet, fluturon.
Zogu, fluturon mbi botën përreth,
fluturimi ësht’ i frikshëm, klithmë e tij të rrënqeth.
Vajton një vajtim pa mbarim:
Për Abelin e bukur, për vdekjen e tij,
për Kainin e mbrapshtë e shpirtzi,
për vitet e rinisë së tij pa kuptim.
Shpejt do t’ia ngulë Kaini shigjetën në gji,
shpejt do të ndezë luftëra dhe sherre ai,
në çdo fshat e qytet, e çdo skaj,
do krijojë armiq për t’i vrarë, pastaj.
Do urrejë ata dhe veten i dëshpëruar,
do përndjekë ata dhe veten i munduar.
Në çdo rrugë duke shkuar, gjersa fundi të afrojë,
çasti kur Kaini vetveten të shkatërrojë.
Zogu fluturon dhe me sqepin e përgjakur,
klith kujën e vdekjes mbi botën mbarë.
E dëgjon Kaini, e dëgjon Abeli i vrarë,
e dëgjojnë një mijë nën këtë qiell përhapur,
po dhjetë mijë e më shumë s’e dëgjojnë përreth,
për vdekjen e Abelit ata s’duan të dinë.
S’duan të dinë as për Kainë,
as për gjakun që nga shumë plagë rrjedh,
as për luftën që ishte gjer dje,
për atë në romane sot lexojnë se ç’qe.
Për të gjithë të ngopurit, të gëzuarit,
të fortët, të palatuarit,
për ata s’ka Kain, as Abel, as vdekje mizore
dhe luftën e çmojnë si kohë madhore.
Kur ky zog vajtimtar fluturon mbi ta,
e quajnë ndjellakeq, ogurzi,
veten e ndiejnë të fortë ata
dhe zogun e vogël e zënë me gurë,
gjersa të heshtë dhe të zhduket ai,
ose ia krisin muzikës që mos të dëgjohet më,
se zëri i trishtuar i bezdis gjithnjë.
Ky zog sot, si askurrë,
me sqep të përgjakur vend më vend fluturon,
vajtimi i tij për Abelin tejpërtej kumbon.
Shqipëroi Petraq Kolevica










Comments are closed.