Nata e parafundit
E keni natën e parafundit mbi dhe, u thanë,
e zoti ka zbritë në tokë ta bëjë me ju darkën e kujtesës.
Mësynë njerëzit e pangimë,
të marrë gjithkush pjesën e vet të zotit,
që u duhej për Atëbotë.
Dikush i mori dorën,
këmbën dikush tjetër,
veshin, sytë, hundën ia morën si në jerm,
dikush u mjaftua me një qime të shenjtë.
Ata që mbetën pa gjë,
të çaraveshur iu turrën fatlumëve me copa zoti në duar,
dhe ndodhi ploja e gjaktë e natës së parafundit.
Në sheshet e hatasë sapo ra hëna,
ujkonjat zbritën prej mali e gulshonin mbi gjakun e njerëzve,
që asaj nate, në mes të dy jetëve,
mbetën pa asnjërën,
veç me zotin e shqyer në duart e ngrira.
Kur u kish mbetur veç një ditë e një natë,
kush do t’i priste në jetën e përtejme,
tashmë të mbetur pa Zot?!
Ora e trembur
Krejt dimrat vdesin në një manushaqe,
në orën e trembur të amshimit.
Zbathur ecin hyjnitë,
shkrepave ku thyen këmbët drita,
borë drite bie nëpër imshta.
Në panik vetëtojnë qiejt e fundit dimnorë,
si gratë, që u afrohet menopauza.
Lulet e marrëzisë,
lulojnë nëpër vajza,
luginave ku mëkatojnë shenjtnit.
E dimrat dhe burrat
në një manushaqe vdesin.
Eh…!
Fenduk
Kopuk
Minuk
Bishtuk
Eunuk
Në kolltuk
Ti
Sh-eh
E
Nj-eh
E
Rr-eh
E
L-eh
Eh…!







Be First to Comment