Shtëpia e letërsisë shqipe

,

Dromca poetike

∗

Fshihu pak, vetëm pak,
sa të mbijnë lulëzat,
se prej teje droje kanë.

∗

Si thupra në ujë
e hëna në lumë
dridhesh tek unë

∗

Asnjë hije kësaj vere!
Mungojnë lisat,
a dielli?

∗

Asnjë zë qyqeje sivjet!
S’pati pranverë, apo motrat harruan
me i kujtue vëllezërit e vdekur?

∗

Në një lis të prerë
shoh mërgime zogjsh
dhe vdekjen e shirave

∗

Në çdo lule,
që kthehet në frut,
vdes një pranverë…

∗

Mos u tutni pyjet e mia,
s’ju kërkoj dërrasa për vigun tim,
ju kam bërë letër, ku në vargje vdiqa.

∗

Njerëzit janë pyje,
ku jetojnë gjithë kafshët.
Don Zoti mos zgjohen!

∗

Çdo zjarr i shuar kthehet në hi,
zjarret që shuan gruaja
bëhen njeri!

∗

Cili është më i pasuri
i kësaj varreze?
Pyet lypësi i së dielës.

∗

Ka sy të kaltër,
që shohin veç zi,
kur në ta vdes deti.

Autori
Hamit Aliaj

Mund t’i kombinoni: Kadare poezi, prozë autorë të huaj, Ahmetaj dashuri.